Në UBT u bë hapja e Qendrës për Njohuritë e Gjuhës Italiane

16/10/2024

Instituti i Gjuhëve të Huaja në UBT, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë, organizoi një event të veçantë në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane. Kjo ngjarje shënoi inaugurimin e Qendrës për Njohuritë e Gjuhës Italiane, një arritje e rëndësishme për përhapjen e studimit të kësaj gjuhe në vend.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive, duke sjellë së bashku studentë, profesorë dhe përfaqësues të Ambasadës Italiane, të gjithë të angazhuar për të thelluar lidhjet kulturore mes Kosovës dhe Italisë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, përshëndeti të pranishmit në këtë ngjarje të rëndësishme. Ai theksoi se hapja e Qendrës për Njohuritë e Gjuhës Italiane është një arritje e madhe për institucionin dhe për të rinjtë e Kosovës, duke e konsideruar këtë bashkëpunim me Ambasadën Italiane një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve.

Gjuha italiane, sipas rektorit Hajrizi, nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një pasuri kulturore dhe historike që na lidh me trashëgiminë e pasur të Italisë. Dhe se ajo na ofron mundësinë të kuptojmë më mirë kulturën dhe traditat italiane, dhe të forcojmë marrëdhëniet tona kulturore dhe ekonomike.

“Njohja e gjuhës italiane është një investim në arsimimin e studentëve, duke u ofruar atyre mundësi për të zhvilluar karrierat e tyre në një treg gjithnjë e më global,” u shpreh rektori Hajrizi. Ai e përfundoi fjalimin duke shprehur besimin se njohja e gjuhës italiane do t’i ndihmojë studentët në zhvillimin e karrierave të tyre dhe do të forcojë lidhjet kulturore mes Kosovës dhe Italisë.

Pas fjalës së rektorit, Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, mori fjalën dhe shprehu përkushtimin e thellë të ambasadës për të mbështetur iniciativa që promovojnë kulturën italiane. Ai theksoi se aktivitete si ky event janë thelbësore për ndërtimin e urave të komunikimit dhe miqësisë midis popujve të Kosovës dhe Italisë.

Ambasadori De Riu inkurajoi studentët dhe të pranishmit të përfitojnë nga mundësitë që ofrohen për të njohur më mirë kulturën italiane, duke e parë atë si një mundësi për rritje personale dhe profesionale. “Le të shfrytëzojmë këtë mundësi për të thelluar njohuritë tona dhe për të forcuar lidhjet mes dy vendeve tona,” përfundoi ai, duke inkurajuar gjithashtu një angazhim të vazhdueshëm në promovimin e kulturës italiane.

Më pas, Media Grupi i UBT-së prezantoi një video të veçantë, e cila ishte përgatitur në gjuhën italiane me titra shqip nga profesorë dhe studentë që kanë studiuar dhe vepruar në Itali, duke ndarë eksperiencën e tyre dhe duke vënë në theks se sa e rendësishme është gjuha italiane për ta.  Kjo video shërbeu si një pasqyrë e angazhimeve dhe përvojave të tyre në këtë vend, duke ilustruar mundësitë e shumta që ofron gjuha italiane.

Më pas, eventi vazhdoi me shfaqjen e filmit “Perfetti Sconosciuti” të Paolo Genovese (2016), një komedi-dramë që trajton temat e marrëdhënieve dhe miqësive. Filmi u shfaq në italisht me titra në anglisht, duke ofruar një mundësi për studentët të përmirësojnë njohuritë e tyre gjuhësore në një atmosferë argëtimi.

Ky aktivitet jo vetëm që festoi kulturën italiane, por gjithashtu forcoi lidhjet ndërkulturore mes Kosovës dhe Italisë, duke promovuar bashkëpunimin dhe miqësinë ndërmjet popujve. Inaugurimi i Qendrës për Njohuritë e Gjuhës Italiane është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të edukimit dhe ofrimit të mundësive të reja për të rinjtë kosovarë, duke e bërë italishten një pjesë të rëndësishme të arsimit të tyre.