Hapësira e mundësive: Panairi i kompanive austriake në UBT

10/10/2024

Rreth 20 kompani austriake shpalosën mundësi të shumta për studentët e UBT-së në Panairin e organizuar në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan. Kjo ngjarje ishte e fokusuar në krijimin e lidhjeve midis kompanive ndërkombëtare dhe studentëve, duke ofruar një platformë të rëndësishme për të diplomuarit e nivelit Bachelor dhe Master, si dhe për ata që janë në prag të diplomimit, për të eksploruar mundësi të reja karriere dhe të zhvillojnë intervista pune me përfaqësuesit e kompanive.

Në këtë panair, studentët patën mundësinë të aplikonin për një gamë të gjerë pozicionesh pune, nga punësimi sezonal deri te kontratat e rregullta të punës, në sektorë të ndryshëm që përfshijnë teknologjinë, inxhinierinë, menaxhimin dhe ekonominë. Kjo ngjarje u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë dhe përkushtim i kompanive austriake për të gjetur talente të reja dhe për të mbështetur zhvillimin profesional të studentëve kosovarë.

Ky panair ishte një hap i rëndësishëm drejt përforcimit të lidhjeve të bashkëpunimit midis UBT-së dhe kompanive austriake, duke krijuar rrugë të reja për karrierë dhe zhvillim profesional për studentët tanë.