UBT rozë në tetor
09/10/2024Në UBT u mbajt një ngjarje e veçantë kushtuar Tetor Rozë, muaj ky për ndërgjegjësimin ndaj Kancerit të Gjirit. Kjo ngjarje përveç që kishte një karakter informativ dhe ndërgjegjësues, kishte si qëllim të nxisë ndërveprim dhe veprime konkrete për shëndetin e grave dhe vajzave në Kosovë.
Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, profesorëve, dekanëve, si dhe studentëve të UBT-së, u zhvilluan diskutime të rëndësishme për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit. Ekspertët mjekësorë theksuan se diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë dhe nxitën gratë dhe vajzat që të bëjnë kontrolle të rregullta dhe të informohen për mënyrat e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit.
Në fjalimet e tyre, përfaqësuesit e UBT-së dhe të ftuarit shprehën angazhimin e tyre për të mbështetur fushata të tilla dhe për të ofruar platforma informuese për shëndetin publik. Ata u bënë thirrje grave dhe vajzave që t’i kushtojnë vëmendje të shtuar shëndetit të tyre, duke mos e neglizhuar kontrollin e rregullt mjekësor.
Kjo iniciativë në UBT është një vazhdimësi e përkushtimit të institucionit për ngritjen e vetëdijes në çështje shëndetësore dhe për të kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë. Kjo ngjarje përmbylli me një mesazh të qartë: Kujdesi ndaj shëndetit është përgjegjësi e çdo gruaje dhe vajze, dhe bashkë mund të luftojmë për një shoqëri më të shëndetshme dhe të informuar.