Rektori Hajrizi në Konferencën e Federatës së Paqes Universale: Rritja ekonomike në Ballkan kërkon investim në teknologji dhe burimet njerëzore me kompetenca të reja
05/10/2024Në kuadër të Konferencës së Federatës së Paqes Universale, e organizuar në Prishtinë nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me UBT dhe YSP Ballkan, u adresuan sfidat kryesore që prekin rajonin, duke përfshirë konfliktet globale, dinamikat e integrimit në BE dhe çështjet demografike që po përballen vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë figura të shquara nga politika, arsimi dhe kultura, përfshirë edhe Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili u angazhua në një panel diskutimi lidhur me tranzicionin demografik dhe çështjet e migrimit të të rinjve. Ai shpalosi një analizë të thelluar mbi rënien e natalitetit dhe pasojat e migrimit masiv në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe masat për zgjidhjen e tyre.
Kjo konferencë mblodhi liderë rajonalë dhe ekspertë të politikave për të shkëmbyer ide dhe propozime konkrete për sfidat demografike dhe sociale me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët për t’i përballuar këto zhvillime.