UBT dhe UNDP bashkëpunojnë për të lansuar programin e mentorimit dhe trajnimit për Startup-et në industrinë kreative

16/09/2024

UBT, i përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë nënshkruar një kontratë për realizimin e projektit “Dizajnimi dhe zbatimi i një programi mentorimi dhe trajnimi për Startups që operojnë në industrinë kreative”.

Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e startup-eve që veprojnë në sektorët inovativë dhe kreativë, duke ofruar një platformë të dedikuar mentorimi dhe trajnimi. Në këtë kuadër, 9 profesorë nga UBT do të përfshihen në ekipin profesional që do të ofrojë mbështetje dhe këshillim strategjik për kompanitë e përzgjedhura nga UNDP.

Fushat kryesore të përfshira në këtë program janë:

Media dhe audiovizualet – për prodhimin dhe zhvillimin e përmbajtjes vizuale dhe mediatike.

Shërbimet kreative – përfshirë dizajnin e brendshëm, dizajnin grafik, dizajnin e modës, arkitekturën, reklamimin, dizajnin e lojërave dhe dizajnin industrial.

Teknologjitë inovative – Realiteti i Shtuar (AR), Realiteti Virtual (VR), Inteligjenca Artificiale (AI) dhe Blockchain (BC), të cilat po sjellin ndryshime në industrinë kreative.

Nga ana e UBT-së, udhëheqës i ekipit është caktuar Dr. Besnik Skenderi, i cili do të koordinojë procesin e mentorimit dhe trajnimit  nga ana e UBT-se për të siguruar përputhjen e programit me objektivat e përcaktuara.

Ky projekt pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e ideve të reja dhe avancimin e produkteve dhe shërbimeve të kompanive që operojnë në industrinë kreative, duke ndihmuar në krijimin e mundësive të reja për inovacion dhe rritje në këtë sektor.