UBT – lider i arsimit privat në Kosovë dhe rajon për nga renditja në Webometrics
22/07/2024UBT është renditur sërish institucioni i parë i arsimit të lartë privat në rangimin e fundit të universiteteve sipas numrit të citimeve të publikimeve të stafit, bazuar në profilet e tyre në “Google Scholar” nga platforma “Webometrics“. Ky sukses dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për të promovuar cilësinë akademike dhe kërkimore në Kosovë dhe më gjerë.
Në këtë ranglistë, UBT renditet menjëherë pas Universitetit të Prishtinës (UP) për nga numri i citimeve të publikimeve të stafit akademik. Ky është një rezultat i jashtëzakonshëm që konfirmon pozitën udhëheqëse të UBT-së në sektorin privat të arsimit të lartë. Në periudhën janar – korrik 2024, UBT ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej 1465 citimesh.
Ky rezultat është një dëshmi e përkushtimit të stafit akademik të UBT-së ndaj kërkimit shkencor dhe publikimeve cilësore. Citimet janë një tregues i rëndësishëm i ndikimit të punës kërkimore, dhe rritja e numrit të citimeve reflekton cilësinë dhe rëndësinë e punimeve të publikuara nga akademikët e UBT-së.
Platforma “Webometrics”, e cila është një projekt i Cybermetrics Lab, pjesë e Këshillit Kombëtar Kërkimor të Spanjës, ofron një vlerësim të gjerë të institucioneve të arsimit të lartë në mbarë botën, duke përdorur një sërë kriteresh, përfshirë numrin e citimeve në “Google Scholar”. Modeli i ndjekur për kategorinë e transparencës bazohet në mbledhjen e citimeve nga 310 profilet publike të autorëve më të cituar, duke përjashtuar 20 të parët. Kjo metodë siguron një përfaqësim të drejtë dhe të balancuar të ndikimit akademik të institucioneve të ndryshme.
UBT vazhdon të investojë në zhvillimin e kapaciteteve kërkimore dhe në mbështetjen e stafit akademik për të publikuar punime shkencore në revista të njohura ndërkombëtare.
UBT mbetet e përkushtuar për të avancuar më tej në renditjen ndërkombëtare dhe për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe kërkimit në Kosovë dhe rajon. Me angazhimin e vazhdueshëm të stafit dhe studentëve, UBT synon të vazhdojë të jetë një qendër ekselence akademike dhe kërkimore, duke kontribuar në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë së Kosovës dhe më gjerë.