Qendra e Karrierës përfundoi suksesshëm aktivitetet e Akademisë Verore

22/07/2024

Qendra e Karrierës në UBT ka mbajtur Akademinë Verore me një agjendë të pasur dhe të larmishme që përfshinte një sërë ligjëratash dhe prezantimesh të drejtuara nga ekspertë të ndryshëm të industrisë dhe akademikë të njohur. Aktiviteti nisi me një hyrje dhe prezantim të Akademisë Verore të Karrierës nga Prof. Dr. Halil Bashota.

Prof. Dr. Ferid Selimi, gjatë prezantimit të tij, është fokusuar në shkrimin akademik dhe teknik. Ai shpjegoi teknikat e të shkruarit, llojet e teksteve dhe stilet e të shkruarit, si dhe komunikimin efektiv.

Qëndrim Shkodra nga Cheaper Team prezantoi kompaninë e tij dhe diskutoi mbi komunikimin dhe prezantimin në mënyrë praktike, duke ofruar një pamje të qartë për mundësitë e punës në tregun aktual. Ai foli për shkathtësitë që kërkohen dhe profesionet më të kërkuara në tregun e punës sot.

Drejtori i AZ IZOLIME, Engjull Duzhmani ndau rrugëtimin dhe zhvillimin e kompanisë së tij, duke ofruar një pasqyrë të detajuar të sfidave dhe sukseseve.

Visar Tabaku nga JUB Kosova prezantoi historinë dhe arritjet e kompanisë së tij, duke ndarë njohuri të vlefshme për të pranishmit.

Shpëtim Kamberi, drejtori i AEG SHARR, diskutoi mbi rrugëtimin dhe zhvillimin e kompanisë së tij, duke theksuar rëndësinë e inovacionit dhe përshtatjes në treg.

Anton Gojani mbajti një ligjëratë të fokusuar në zhvillimin e karrierës dhe shkathtësive të buta. Ai shpjegoi se çfarë është karriera, si të zhvillojmë shkathtësitë interpersonale, si të shkruajmë një CV profesionale, letër motivuese, dhe dokumente të tjera zyrtare si email-et dhe raportet.

Aktiviteti përmbyllës i Akademisë së Karrierës solli së bashku të gjithë pjesëmarrësit për një reflektim mbi njohuritë dhe përvojat e fituara gjatë kësaj periudhe të vlefshme. Kjo ngjarje jo vetëm që përmbushi qëllimin edukativ, por gjithashtu i dha mundësinë të rinjve të krijojnë lidhje të reja dhe të zhvillojnë më tej perspektivat e tyre profesionale.