Studentët e programit Agrikulturë dhe Mjedis në UBT do të përfitojnë nga bashkëpunimi strategjik me shoqatat vendore

09/07/2024

UBT ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me disa shoqata vendore të rëndësishme në sektorin e agrikulturës dhe mjedisit, duke hapur kështu mundësi të reja për studentët e niveleve Bachelor dhe Master në Inxhinieri të Agrikulturës dhe Mjedisit.

Bashkëpunimi përfshin Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës – PePeKo, Shoqatën e Përpunuesve dhe Eksportuesve Kosovar Të Produkteve Pyjore jo Drusore – Organika, Shoqatën për Prodhim, Grumbullim, Përpunim dhe Eksport të Mjedrave – Mjedra e Kosovës, si dhe Fondacionin AgroDev, i cili synon të nxisë sektorin e bujqësisë së Kosovës përmes informimit, zhvillimit dhe promovimit.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve synon të ndërtojë një bashkëpunim strategjik që do të maksimizojë potencialin e përbashkët të dy palëve për të arritur ndikim të qëndrueshëm dhe rezultate të prekshme në fushën e agrikulturës dhe mjedisit. Kjo përfshin zhvillimin e praktikave ekzistuese, ekspertizën teknike, kapacitetet humane, qasjet e reja dhe platformave në fushën e shkencave të ushqimit dhe agrikulturës.

Studentët e UBT-së tashmë do të kenë mundësi të përfitojnë nga këto partneritete përmes trajnimeve praktike, projekteve të përbashkëta, dhe angazhimit në kërkime shkencore. Ky bashkëpunim do t’u japë atyre qasje në burimet dhe ekspertizën e këtyre shoqatave, duke i përgatitur më mirë për sfidat e tregut të punës dhe zhvillimin profesional në të ardhmen.

UBT dhe partnerët e saj janë të përkushtuar të përmirësojnë sektorin e agrikulturës dhe mjedisit në Kosovë përmes këtij bashkëpunimi. Duke kombinuar forcat dhe burimet, synohet të nxitet inovacioni dhe zhvillimi në këto fusha, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit.