Rektori Hajrizi: Zoti e bekoftë Amerikën dhe vlerat e saj për demokraci, barazi e liri
03/07/2024Rektori i UBT-së, i shoqëruar nga stafi akademik Prof. Naser Rugova dhe Prof. Arian Kadriu, mori pjesë në kremten e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për nder të 248-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së.
Gjatë pritjes, Rektori Hajrizi uroi Ambasadorin e ShBA-së, Shkëlqesinë e tij, Jeffrey Hovenier, dhe stafin e ngushtë për këtë ditë të madhe. Në emër të stafit, studentëve dhe komunitetit të UBT-së, ai i falënderoi për gjithçka që ShBA-ja ka bërë dhe vazhdon të bëjë për zhvillimin e shtetit të Kosovës.
Miqësia me ShBA-në është e shenjtë. Është një ndjenjë krenarie që Kosova dhe shqiptarët rreshtohen përkrah vlerave të udhëhequra nga ShBA-ja për demokracinë, barazinë, gjithëpërfshirjen, zhvillimin dhe lumturinë.
Në këtë ditë të veçantë, theksojmë rëndësinë e lidhjeve tona të forta me ShBA-në, duke kujtuar rolin e saj të pazëvendësueshëm në përkrahjen dhe ndihmën ndaj popullit të Kosovës. Kjo miqësi dhe bashkëpunim na kanë dhënë mundësinë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.
Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për të forcuar këto lidhje dhe për të ndarë vlerat e përbashkëta që na bashkojnë.