Në Kampusin e UBT-së në Prizren qëndruan për vizitë ambasadorë nga BE në Kosovë

05/06/2024

Kampusi i UBT-së në Prizren mirëpriti një numër ambasadorësh nga Bashkimi Evropian në Kosovë, të cilët panë nga afër dhe u njoftuan me infrastrukturën moderne, teknologjitë e fundit, programet dhe aktivitetet e UBT-së për të rritur bashkëpunimin e ndërsjellë me partnerë nga këto vende.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, priti të ftuarit dhe i udhëhoqi ata nëpër kampusin inovativ, duke ndarë me ta historinë e zhvillimit të institucionit, përparimin e tij të qëndrueshëm dhe profesionalizmin që udhëheq çdo hap të tij. Rektori Hajrizi theksoi përkushtimin e UBT-së për të ofruar një arsim cilësor dhe inovativ.

Në fjalën e tij, Rektori foli për ekosistemin e qëndrueshëm që UBT ka krijuar ndër vite, një strukturë që mbështet kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin personal të studentëve.

Vizitorët u shprehën të impresionuar nga infrastruktura inovative e kampusit, laboratorët e pajisur me teknologji të avancuar dhe ambientet e mësimdhënies që ofrojnë një përvojë mësimore të jashtëzakonshme.