UBT mori pjesë në Konferencën e Tetë të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit

04/06/2024

UBT tash e disa vite është pjesë e Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit dhe me këtë rast mori pjesë në Konferencën e Tetë të organizuar nga AUB në bashkë-organizim të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në Tiranë.

Tema kryesore e kësaj Konference ishte: “Procesi i Integrimit të Ballkanit në BE: Promovimi i Turizmit në Ballkan”. Kjo ngjarje tërhoqi pjesëmarrjen e një sërë personalitetesh të shquara nga fusha akademike, qeveritare dhe institucionet e tjera relevante.

Në konferencë morën pjesë personalitete të shquara si:

  • Prof. Dr. Edmond Hajrizi – Rektori i UBT-së;
  • Prof. Dr. Artan Hoxha – Rektori i Universitetit të Tiranës;
  • Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu – Rektori i Universitetit Trakya;
  • Majlinda Dhuka – Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore për Integrimin Evropian;
  • Ogerta Manastirliu – Ministre e Arsimit dhe Sportit.

Fjalimin kryesor të konferencës me temë “Procesi i Integrimit Evropian të Ballkanit” e mbajti Federica Mogherini, Rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

Diskutimet e panelit të parë u përqendruan në temën “Procesi i Integrimit Evropian të Ballkanit”, me pjesëmarrjen e këtyre personaliteteve:

  • Prof. Dr. Edmond Hajrizi – Rektori i UBT-së;
  • Gentian Elezi – Instituti i Studimeve Evropiane, Universiteti i Tiranës;
  • Marian Preda – Rektori i Universitetit të Bukureshtit;
  • Sorin Costreie – Zëvendës Rektori i Universitetit të Bukureshtit dhe Presidenti i UNICA (Rrjeti i Universiteteve nga Kryeqytetet e Evropës);
  • Prof. Assoc. Dr. Enes Turbic – Universiteti Trakya.

Në panelin kryesor të konferencës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e konvergjencës mes vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian në aspektin e ndihmave reciproke.

Ai vuri në dukje se vendet e Ballkanit duhet të ndalojnë të jenë vetëm marrës të ndihmave dhe të fillojnë të eksportojnë dije dhe përvojë, duke kontribuar në një bashkëpunim më të thellë dhe më të qëndrueshëm.

“Ne tash nuk duhet të vazhdojmë vetëm të marrim ndihma, por edhe mund të eksportojmë dije, përvojë dhe të bëjmë një lloj konvergjence mes vendeve. Ky lloj bashkëpunimi do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta dhe në përmirësimin e standardeve të jetesës në të gjitha vendet e rajonit”, tha Rektori Hajrizi.

Gjatë konferencës, Rektori Hajrizi zhvilloi takime dhe bashkëbisedime me disa nga pjesëmarrësit kryesorë, duke eksploruar mundësitë e krijimit të partneriteteve të reja dhe të qëndrueshme në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Ai diskutoi gjithashtu mbi mundësitë për projekte të përbashkëta që mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të rajonit të Ballkanit.

Konferenca shërbeu si një platformë për ndarjen e ideve dhe praktikave më të mira, duke nxitur dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet universiteteve dhe institucioneve të tjera të larta arsimore nga Ballkani dhe më gjerë.