Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturë kanë vizituar objektin “International Residence”

04/06/2024

Në kuadër të lëndës “Praktika e Punës”, studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturë të UBT-së, nën udhëheqjen e profesorit Prof.Dr. Muhamet Ahmeti dhe Gent Hasmija, organizuan një vizitë studimore në objektin “International Residence” në Prishtinën e Re.

Gjatë kësaj vizite, studentët u informuan nga përfaqësuesit e kompanive për të gjitha proceset e ndërtimit, problemet dhe sfidat që janë hasur gjatë realizimit të këtyre objekteve. Ata gjithashtu u njohën me metodat dhe materialet më të reja të përdorura në ndërtimin e këtij objekti, siç janë pllakat e allçisë për muret e jashtme dhe teknologjitë më të reja të aplikuara në këtë objekt.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i vizitës ishte njohja e studentëve me masat e sigurisë dhe mbrojtjen në punë. Përfaqësuesit e kompanive i sqaruan studentëve llogaritjen statike të objekteve dhe masat e ndërmarra për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë në vendin e punës.

Në objektin International Residence, studentët patën mundësinë të shohin nga afër aplikimin dhe zbatimin e aditivëve të ndryshëm në beton, si dhe elementet e ndryshme të konstrukcioneve gjatë zbatimit të tyre. Këto janë sfida komplekse dhe të rëndësishme për profesionin e inxhinierisë ndërtimore.

Interesimi i studentëve ishte i madh, duke parashtruar shumë pyetje për përfaqësuesit e kompanive, të cilët i shoqëruan gjatë gjithë kohës dhe dhanë sqarime të duhura për çdo pyetje të parashtruar. Kjo vizitë studimore i ofroi studentëve një përvojë të vlefshme dhe njohuri praktike që do t’i ndihmojnë në karrierën e tyre të ardhshme profesionale.