Në UBT u hap ekspozita “n’Pikturë” e studentëve të Fakultetit Media dhe Komunikim

21/05/2024

Një numër i madh vizitorësh, përfshirë studentë, profesorë dhe profesionistë të fotografisë, morën pjesë në hapjen e ekspozitës “n’Pikturë” të studentëve të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT.

Ekspozita “n’Pikturë” ka synuar të demonstrojë aftësitë artistike dhe teknike të studentëve në fushën e fotografisë, duke i dhënë atyre një platformë për të shprehur vizionet dhe idetë e tyre.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi punën e studentëve dhe theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për zhvillimin e tyre profesional dhe personal.

“Kjo ekspozitë është një dëshmi e përkushtimit dhe pasionit që studentët tanë kanë për artin dhe fotografinë. Ajo jo vetëm që tregon aftësitë e tyre teknike, por edhe mënyrën se si ata perceptojnë dhe interpretojnë botën përreth tyre”, tha Rektori Hajrizi.

Kjo ekspozitë u udhëhoq nga profesori Orhan Kerkezi, dhe është një nga shumë aktivitetet kreative dhe akademike që Fakulteti i Media dhe Komunikim organizon për të promovuar zhvillimin e aftësive praktike dhe artistike të studentëve të tij.