Profesori i UBT-së, Genc Demjaha, dhe studenti Arbër Bajgora, do të prezentojnë në Konferencën Ndërkombëtare në Medical University of Graz – Austri

02/05/2024

Konferenca Ndërkombëtare në Medical University of Graz – Austri ka konfirmuar pranimin e punimit me titull “The use of implants for ear prosthesis. Bringing back hope and smile”, punim ky i përpiluar nga Prof. Asst. Genc Demjaha, studenti Arbër Bajgora dhe Prof. Dr. Budima Pejkovska nga Maqedonia e Veriut. Ky punim do të prezentohet në Konferencën e 10-të Ndërkombëtare që do të mbahet me datën 29 maj – 1 qershor.

Kongresi Ndërkombëtar i Studentëve (ISC) zhvillohet çdo vit në Universitetin Mjekësor të Grazit, në Austri. Kongresi ofron një platformë për studentët me përvojë në mjekësi, farmakologji, shkenca natyrore, shkencat e infermierisë dhe trajnim teknik. Një atmosferë e relaksuar u ofron studentëve shumë mundësi për të shkëmbyer, lidhur dhe përvetësuar një sërë aftësish të rëndësishme profesionale dhe personale.

Çdo vit, ISC në Graz-Austri mirëpret mbi 200 studentë nga universitetet Austriake dhe më shumë se 35 vende të tjera. Shumica e pjesëmarrësve janë studentë në një nivel të avancuar të studimeve të tyre përkatëse, por edhe shkencëtarë të karrierës së hershme marrin pjesë rregullisht në kongres.

Punimi “The use of implants for ear prosthesis. Bringing back hope and smile” shpjegon shkaqet e humbjes së indeve të fytyrës, keqformimet kongjenitale, lezionet tumorale ose aksidentet. Defektet e fytyrës mund të shkaktojnë jo vetëm probleme funksionale, por edhe disa probleme serioze psikologjike që mund ta bëjnë individin të shmangë kontaktin shoqëror. Duke pasur parasysh këtë, qëllimi i parë i rehabilitimit maksilofacial duhet të jetë zgjidhja e problemeve estetike.

Humbja e çdo strukture të fytyrës shoqërohet me ndikim psikologjik që rrezikon vetëbesimin e një individi. Veshi i jashtëm është një pjesë integrale e fytyrës dhe humbja e çdo pjese të strukturës së veshit tek një individ ndryshon estetikën dhe pamjen e tij të përgjithshme, duke ndikuar kështu në statusin e tij mendor. Mungesa e veshit rezulton në një pamje asimetrike, të shtrembëruar, e cila mund të mos ndikojë në një masë të madhe në funksion, por gjendja psikologjike dhe vetëvlerësimi i pacientit ndikohen thellë. Për këtë punim janë përdorur të dhënat duke përdorur informacionin në internet në Researchgate, Pubmed, ScienceDirect, duke analizuar artikuj dhe libra të shkruar dhe libra studentësh. Nga 60 artikuj të analizuar, 21 artikuj janë përfshirë në shkrimin e këtij artikulli rishikues.

Në vitin 2023 studenti i Stomatologjisë, tani Dr. Erik Gorani, prezentoi suksesshëm në këtë konferencë punimin e punuar së bashku me Prof. Asst. Genc Demjaha në temën “Sa shpesh raportohen gabimet mjekësore nga ofruesit e kujdesit shëndetësor në Qendrën Emergjente në Prishtinë”.