Konferencë Ndërkombëtare në UBT – fokusi në “Ndërtimi i Ekosistemeve të Qëndrueshme të IoT”
22/04/2024Dita e mërkurë e 24 prillit do ta gjejë Qytetin e Mençur të UBT në Lipjan nën organizimin e Konferencës Ndërkombëtare 2024 mbi “Building Sustainable IoT Ecosystems”. Konferenca synon të adresojë sfidat dhe mundësitë në fushën e IoT dhe të promovojë zgjidhjet e qëndrueshme për mjedisin dhe industrinë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi vë në theks se zhvillimi i kësaj konference dhe rezultatet që do të nxirren nga përfundimi i saj, parashikohen të sjellin inovacionin më të madh në teknologjinë e Kosovës.
“Qëllimi kryesor i konferencës është të ofrojë një platformë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe shkëmbimin e përvojës në ndërtimin e qëndrueshmërisë së IoT, duke filluar nga koncepti dhe projektimi, deri te implementimi dhe operacionet. Diskutimet përqendrohen në zgjidhjet inovative që integrojnë energjinë e rinovueshme, parimet e dizajnit etik dhe strategjitë për të adresuar sfidat e efikasitetit, elasticitetit dhe barazisë”, thekson Rektori Hajrizi.
Konferenca ofron një gamë të gjerë temash, duke përfshirë integrimin e energjisë së rinovueshme në IoT, parimet e ekonomisë rrethore, dizajnin etik të IoT, qytetet e mençura dhe qëndrueshmërinë urbane, monitorimin dhe përshtatjen e klimës, ndikimin social dhe inovacionin, sigurinë kibernetike dhe politikat rregullatore.
“Konferenca duke u fokusuar në nevojat specifike të zgjidhjeve inteligjente bazuar në IoT/IOE për transformimin e gjelbër dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale, synon të sjellë një kontribut të rëndësishëm për projektin evropian “IoT Green Transformation for Academic Society and Business Oriented Ecosystem in Western Balkans (IOT-ECO)”, thekson Dekani i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, Besnik Qehaja.
Sipas tij, ky projekt synon ndërtimin e një Smart City në UBT-Lipjan, ku do të përfshihen sensorë të ndryshëm që do të mbledhin dhe monitorojnë informacionin për panelët solarë, serat për mbjellje, parkingjet dhe të gjitha fushat e jetës në kampus.
Për të përmbushur qëllimin e projektit, secili grup punues organizon prezantime në fushat përkatëse, duke sjellë kontributin e tyre në zgjidhjet për të adresuar nevojat e specifikuara. Pjesëmarrësit në këtë konferencë përfshijnë përfaqësues nga Kosova, Amerika, Bullgaria dhe Austria. Në shtjellimin e projektit është përmendur edhe një aspekt i rëndësishëm i tij, Metaversi i UBT-smartcity, një koncept i ri që paraqet kampusin në realitetin virtual. Ky inovacion synon të sjellë një përparim të madh në teknologjinë e Kosovës, duke përfshirë edhe shfaqjen e gjendjes së sensorëve realë në ambientin virtual të Metaversit. Ky përparim parashikohet të jetë një prej inovacioneve më të rëndësishme të vitit në Kosovë.
Në mesin e shumë përfaqësuesve dhe prezantimeve, Rektor i UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, do të hap sesionet e prezantimeve me diskutimin mbi “Implementation of IoT hub and digital twins at UBT smart and self-sustainable city”. Po ashtu në fjalën përshëndetëse do të jetë prezent edhe Galia Marinova, Menaxhere e Projektit të IoT Eco në TU Sofia, kurse Profesori Terrence Egan nga Eastern Florida State College do të ndaj njohuritë e tij mbi programimin e integruar “Embedded systems programming”. Konferenca reflekton angazhimin e akademisë dhe biznesit për të përdorur teknologjinë për të shndërruar mjedisin dhe të rrisë kapacitetet institucionale.
Konferenca do të fillojë në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri në orën 15:00. Agjenda e programit përfshin përfaqësues nga fusha e teknologjisë dhe kjo konferencë synon të promovojë një mjedis ku industritë inovative lidhen me përgjegjësinë sociale dhe ruajtjen e mjedisit.