Profesori i UBT-së, Demokrat Nuha mori pjesë në Konferencën Shkencore të organizuar nga COST në Universitetin Sapienza të Romës

06/04/2024

Profesori i Fakultetit Biokimi Mjekësore në UBT, Demokrat Nuha, mori pjesë në Konferencën Shkencore të organizuar nga Corporation Science and Technology (COST) në Universitetin Sapienza të Romës, në Itali. Përveç prezantimit të kërkimeve të tij në fushën e kimisë mjekësore, ai gjithashtu shërbeu si njëri ndër prezantuesit kryesorë të konferencës.

Fokusi i prezantimit të profesorit Nuha përqendrohet rreth studimit të tij të fundit, të titulluar “Dizajni dhe sinteza e derivateve novatore të oksadiazolit për trajtimin e sëmundjes Alzheimer”. Sëmundja e Alzheimerit paraqet një sfidë shëndetësore globale që prek miliona njerëz në të gjithë botën.

Në studimin e tij, profesori Nuha dhe ekipi i tij kanë zhvilluar njëmbëdhjetë komponime të reja që synojnë të luftojnë sëmundjen Alzheimer duke synuar frenimin e kolinesterazës dhe ß-sekretazës. Këto komponime janë vlerësuar rigorozisht për aktivitetin e tyre frenues kundër acetilkolinesterazës (AChE) dhe butyrilkolinesterazës (BChE), me rezultate të dukshme.

Ky studim nënvizon potencialin e derivateve të sintetizuara si kandidatë premtues për trajtimin e Alzheimerit, duke theksuar rëndësinë e molekulave të vogla multifunksionale në shënjestrimin e rrugëve kryesore të implikuara për parandalimin e sëmundjes.