Përmes Organizatës Quality Kosova profesorët e UBT-së bëjnë thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e burimeve të ujit
28/02/2024Profesorët e UBT-së, përmes Organizatës Quality Kosova, po bëjnë thirrje për një angazhim gjithëpërfshirës për mbrojtjen dhe ruajtjen e burimeve ujore. Në një punëtori të zhvilluar në Komunën e Mitrovicës, ata prezantuan të dhënat, gjetjet dhe rekomandimet e tyre nga projekti: “Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në pellgun e lumit Ibër”. Kjo iniciativë u realizua në kuadër të skemës së Grantit nga Programi për Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë, njohur si MIRU-K.
Profesoresha Emine Daci, menaxhere e projektit, theksoi se synimi i tyre është të ndërmarrin hapa konkrete për të përmirësuar gjendjen aktuale të menaxhimit të burimeve ujore. Po ashtu, ajo shtoi se është e rëndësishme të krijohet një departament i veçantë në nivelin komunal për të zbatuar aktivitete të rëndësishme për menaxhimin e ujërave.
“Situata e menaxhimit të burimeve ujërave është mjaft kritike. Në bazë të hulumtimit kemi vërejtur që ekziston një koordinim jo i mirë në mes të politikave të nivelit qendror në nivelin lokal. Nuk ekziston një departament i veçantë në kuadër të komunave i cili do të zbatonte aktivitete të rëndësishme sa i përket menaxhimit të ujërave”, tregoi menaxherja e projektit Prof. Dr. Emine Daci.
Ekspertët dhe profesorët e pranishëm në punëtori u pajtuan se çështja e mbrojtjes së burimeve ujore duhet të trajtohet në nivele të ndryshme, fillimisht duke bërë investime dhe projekte për mbrojtjen e tyre. Ata theksuan nevojën për zbatim të ligjit, forcim të kapaciteteve inspektuese, si dhe bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm për zhvillimin e projekteve për mbrojtjen e ujërave.