Studenti i UBT-së, Bernard Kastrati ka krijuar një platformë unike Kërkomjeshtër.com, synon të krijojë një lidhje efikase dhe të lehtësojë bashkëpunimin në fushën e shërbimeve

23/02/2024

Studenti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, Bernard Kastrati ka arritur të krijojë një platformë unike, sikurse Kërkomjeshtër.com, e cila do të shërbejë si një urë lidhëse në mes kompanive dhe klientëve, duke siguruar qasje më efikase për gjetjen dhe ofrimin e shërbimeve.

Përmes aplikacionit Kërkomjeshtër.com, njerëzit do të kenë më të lehtë të shohin informacione rreth kompanive të ndryshme, vlerësime nga klientët e mëparshëm, të regjistrohen nëse janë individë të vetëpunësuar me një shërbim për të ofruar, si dhe kërkimin e punës jashtë vendit, përkatësisht në Evropë.

Klientët gjithashtu kanë mundësi të postojnë kërkesa për të gjetur mjeshtër të kualifikuar për projektet e tyre. Kërkomjeshtër synon të krijojë një lidhje efikase dhe të lehtësojë bashkëpunimin në fushën e shërbimeve.

Sipas Bernardit, UBT-ja i ka ofruar një mjedis të përshtatshëm akademik, të cilin e karakterizon stafi i dedikuar dhe programet e veçanta.

“Sa i përket programit, kam patur fatin të përfshihem në disa projekte dhe kurse që kanë kontribuar në përmirësimin e njohurive dhe aftësive të mia në fushën time të studimit. Profesorët dhe mentorët kanë qenë gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar dhe udhëzuar, duke krijuar një ambient stimulues për mësim dhe zhvillim personal”, ka thënë Kastrati.