UBT ndau çmimin “Leadership Excellence Award” për Dr. Ernesto Madeo për kontributin në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, me fokus në Kalabri dhe ndër arbëreshët e Italisë

17/02/2024

UBT nderoi me Çmimin Tradicional Honor Degree “Leadership Excellence Award”, Dr. Ernesto Madeo, kryetarin e Bashkisë së Shën Mitër Koronës (San Demetrio Corone), njëherit kryetar i Fondacionit të Institutit Rajonal të Komunitetit Arbëresh të Kalabrisë.

Në një ceremoni solemne, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ndau çmimin “Leadership Excellence Award”, për Dr. Ernesto Madeo, për të vlerësuar kontributin e tij dhënë në ruajtjen e traditës, të kulturës, të gjuhës dhe të identitetit kombëtar shqiptar, me theks të veçantë në Kalabri, por edhe ndër gjithë arbëreshët e Italisë.

Dr. Ernesto Madeo është një emër shumë i njohur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për opinionin në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare. Atë e kemi parë duke pritur delegacione të rëndësishme nga Shqipëria e nga Kosova, përfshirë këtu krerët më të lartë të shteteve.

E kemi parë duke folur në promovime librash të autorëve nga Shqipëria e nga Kosova, të cilat flasin për arbëreshët, historinë dhe të tashmen e të ardhmen e tyre. Në gjithë aktivitetin e Dr. Madeos, ne gjejmë një përkushtim të tij të pandalshëm për ruajtjen dhe për promovimin e identitetit dhe kujtesës historike të arbëreshëve të Kalabrisë, që paraqesin një nga degët më të rëndësishme të ngulimeve arbëreshe në Itali.

Si kryetar i Bashkisë së Shën Mitër Koronës (San Demetrio Corone), Dr. Mateo bëri hapa dhe veprime konkrete për të shtyrë përpara një varg çështjesh, që nga zhvillimi ekonomik, aktivitetet kulturore, ruajtja e traditës e deri te kërkesat për më shumë të drejta për arbëreshët, sidomos në aspektin gjuhësor.

Po kështu, duke qenë drejtues i Fondacionit të Institutit Rajonal të Komunitetit Arbëresh të Kalabrisë, ai shihet si një figurë qendrore, rreth të cilit dhe fondacionit që drejton, lidhen shpresat aktivitete të pandalshme, në drejtim të ruajtjes së gjuhës, traditës dhe kulturës arbëreshe.

Gjithashtu, me emrin e tij lidhen edhe aktivitetet bashkërenduese me institucionet përfaqësuese të Kosovës dhe të Shqipërisë në Romë, e sidomos me institucionet shtetërore në Prishtinë e në Tiranë, në drejtim të veprimeve konkrete të të dy shteteve, për të qenë sa më afër arbëreshëve.

Me punën që ka bërë deri tash, Dr. Ernesto Madeo tashmë ka lënë gjurmët dhe emrin e tij në historinë e re arbëreshe. Presim dhe e nxisim e i premtojmë ndihmë e bashkëpunim, për më shumë aktivitete edhe në të ardhmen, në të mirë të arbëreshëve, në të mirë të të gjithë shqiptarëve, kudo që janë.