Shkollat e Mesme dhe Shkolla Fillore në UBT mbajtën koncert festiv me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

16/02/2024

Gjashtëmbëdhjetë vjetori i Pavarësisë së Kosovës në shkollat e UBT-së u shënua me një program kulturor dhe festiv të organizuar nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi i uroi nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë të pranishmit për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si një datë të veçantë historike për të gjithë shqiptarët.

Gjithashtu, Rektori Hajrizi potencoi rëndësinë e kësaj dite të shënuar për të reflektuar e punuar me përkushtim e dashuri drejt aspiratave tona për një shoqëri me prosperitet për të gjithë, me theks të veçantë për gjenerata e reja, për të cilat jemi duke ofruar mundësi për edukim dhe arsimim cilësor.

Drejtoresha e shkollave paraunuversitare të UBT-së Hajrije Devetaku – Gojani i uroi të pranishmit për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke e vlerësuar 17 shkurtin si një ditë të veçantë për të reflektuar e punuar me përkushtim për arsimim dhe edukim cilësor të nxënësve.

Në fjalimin e saj, drejtoresha Devetaku – Gojani potencoi rrugën e edukimit cilësor si rrugën më të mirë për zhvillimin e nxënësve dhe të shoqërisë, gjë për të cilën po punohet me përkushtim në shkollat e UBT-së.

Programit të Pavarësisë, nxënësit i dhanë ngjyrat e dashurisë së shtetësisë, përmes pikave të përgatitura dhe krijuan një atmosferë festive.