UBT shembull për mbështetjen, fuqizimin dhe trajtimin e barabartë të grave në shoqëri

16/01/2024

UBT tashmë e ka bërë traditë mbështetjen, fuqizimin dhe trajtimin e barabartë të grave në shoqëri, duke i kushtuar rëndësi të madhe angazhimit të gruas në institucion dhe si rezultat i këtij përkushtimi, UBT sot fatmirësisht rezulton të jetë institucioni i parë me numrin më të madh të grave të punësuara në rajon, dhe atë, të gjitha në pozita udhëheqëse dhe koordinuese.

Kështu u tha sot në diskutimin organizuar nga UBT në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit, me temën “Barazia gjinore – sfidat dhe mundësitë”.

Pjesëmarrëse në këtë panel diskutimi ishin: Edi Gusia, u.d. Kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit, Vlora Tuzi – Nushi, Kryeshefe e UN Women, Kosovë, Albana Rexha – Ligjëruese në UBT, si dhe Dekania e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Denis Celcima.

Dekania e Fakultetit Psikologji, Dr. Denis Celcima si përfaqësuese e UBT-së në këtë diskutim tha se shumë vajza e gra të diplomuara në UBT tashmë janë punësuar në kompani të ndryshme botërore, janë angazhuar në pozita udhëheqëse dhe si staf akademik e administrativ, por edhe në shumë institucione shtetërore.

“Çfarë na motivon dhe na bën krenarë në të njëjtën kohë, është fakti se numri i studentëve që zgjedhin për të studiuar në UBT është në rritje të vazhdueshme. Në kurrikulat tona është lënda e barazisë gjinore, një lëndë shumë e rëndësishme, jo thjesht një temë diskutimi” ka thënë dekania e Fakultetit të Psikologjisë, Denis Celcima.

Gjatë kësaj tryeze u diskutua mbi progresin e arritur dhe sfidat drejt barazisë gjinore në Kosovë, mundësitë për tejkalimin e normave sociale dhe kulturore drejt arritjes së barazisë gjinore. Gjithashtu u diskutua prioritetet të vendosura në kuadër të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, bashkëpunimi ndërinstitucional për zbatim të politikave dhe intervenimet konkrete të akterëve ndërkombëtarë siç është UN Women.