Në UBT u ndanë certifikata për anëtarët e ekipit përfaqësues të Kosovës në garën ndërkombëtare të robotikës “FIRST Global Challenge”

15/12/2023

Leona Hajrizi, Eda Palushi, Muhamed Shala, Gjin Gojani, dhe Elita Hajrizi, u certifikuan nga UBT për përfaqësimin dinjitoz dhe të jashtëzakonshëm të Kosovës në garën më të madhe të robotikës “FIRST Global Challenge”, e cila u mbajt në Singapor.

Në ceremoninë e organizuar nga UBT, mori pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe studentë, nxënës, familjarë dhe profesorë.

Rektori Hajrizi shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe përkushtimin e këtyre të rinjve për të garuar me shumë të rinj nga 150 vende të ndryshme të botës në robotikë, duke e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze dhe të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare jo vetëm UBT-në por tërë Kosovën.

Në fjalën e saj, mendorja e ekipit të First Kosova, Elita Hajrizi falënderoi të gjithë të pranishmit dhe të gjithë ata që kontribuuan për arritjet e përgjithshme të tyre, si dhe anëtarët e ekipit të cilët nuk u ndalën asnjëherë së punuari si ekip.

Gjatë viteve garuese, ekipi i UBT-së ka arritur që secilën herë të kthehet me çmime të ndryshme, për të cilat, një falënderim i jashtëzakonshëm shkon për UBT-në, institucionin lider të arsimit në vend, i cili ka qenë gjithmonë përkrahës ndaj ekipit, duke u siguruar garuesve infrastrukturë moderne për përgatitje dhe përkrahje maksimale në arritjen e sukseseve.