Arkitekti gjilanas dhe autori i librit “Bukuria e Rrudhave”, Muhamed Sadriu ia dhuron librin e tij Rektorit Hajrizi

19/09/2023

Arkitekti gjilanas, Prof. Muhamed Sadriu, i cili është autor i librit “Bukuria e Rrudhave”, ia ka dedikuar si dhuratë librin e tij, rektorit të UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizit.

Në dedikimin e tij për Rektorin Hajrizi, autori i librit Muhamed Sadriu ka shkruar: “Rektorit të vatrës së diturisë – UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me respektin më të madh”.

Arkitekti dhe autori, Muhamed Sadriu në librin e tij ka përmbledhur kujtime dhe rrëfime të të moshuarve mbi 90 vjeç të Anamoravës, për të dokumentuar kështu një trashëgimi të rëndësishme kulturore dhe memorie kolektive para se ajo të mbetet në harresë.

Rektori Hajrizi ka vlerësuar lart punën e autorit Sadriu, veçanërisht për kontributin e tij në ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e memories kolektive përmes mbledhjes në një vend të kujtimeve dhe rrëfimeve të të moshuarve, të cilët kanë qenë dëshmitarë të shumë ngjarjeve të rëndësishme e të cilat nuk janë të elaboruara mjaftueshëm në literaturën e historisë zyrtare.

Për më tepër, Rektori Hajrizi e ka falënderuar arkitektin Sadriu edhe për kontributin e tij mbi 30 vjeçar, duke mësuar e trajnuar studentët e arkitekturës pa asnjë kompenzim material.