UBT suksesshëm përmbyll një nga organizimet më madhështore të ceremonisë së gradimit të studentëve
12/09/2023UBT suksesshëm ka mbyllur pjesën e dytë të ceremonisë së gradimit të studentëve, me një organizim madhështor, në “Klan Arena”, ku Kosovës i dha gjeneratën e njëzetë të profesionistëve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme të jetës.
Me emocione të veçanta, studentët e programeve: Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieri e Ndërtimit (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë, Zhvillim dhe Urbanizëm, Inxhinieri e Energjisë dhe Menaxhment, Menaxhment i Mekatronikës, Art dhe Media Digjitale, Muzika Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi, Shkenca Politike, Politika Publike dhe Menaxhimi, Infermieri dhe Shkencat Mjekësore, Farmaci, Stomatologji dhe Juridik, i dhanë fund një rrugëtimi të suksesshëm akademik në dy nivele të ndryshme të studimit: bachelor dhe master, duke treguar përkushtimin e tyre të lartë për dijen, shkencën, teknologjinë e inovacionin.
Për gjithë këtë arritje të studentëve në institucionin që udhëheq, Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se kjo ditë shënon në kalendar një rrugëtim të veçantë dhe special për studentët dhe karrierën e tyre profesionale.
“Është nder dhe privilegj që të qëndroj para jush, një gjeneratë e cila me përkushtim të madh ka arritur që sot të ketë një momentum të veçantë. Këtë vit Kosovës i shtohet një gjeneratë me kompetenca dhe aftësi. Gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe procese e individ që na kanë mbështetur për të realizuar këtë momentum, prandaj dëshirojmë që t’i falënderojmë të gjithë ata që kanë kontribuuar në mënyrë direkte apo indirekte në suksesin tuaj. Diplomimi nuk është vetëm një moment reflektimi për të kaluarën, por edhe një moment pritjeje për të ardhmen”, ka thënë Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.
Dita e dytë e ceremonisë së gradimit të studentëve u përcoll me betimin e studentit, të cilin e udhëhoqën studentja Edi Alidema dhe Tringa Thaqi, si dhe me betimin e hipokratit, të cilin e udhëhoqi studentja Donika Berisha, duke u betuar të gjithë studentët njëzëri që me vetëdije dhe vullnet të plotë do t’i shërbejnë dhe do të japin kontributin në shkencës, edukim, e në vend.
Për argëtimin e studentëve u përkujdesën me disa pika muzikore studentet e Fakultetit Muzika Moderne, Prodhimi Digjital dhe Menaxhimi, Agnesa Vishesella dhe Anjeza Gashi, përderisa dita e sotme kulmoi me momentin madhështor dhe të rëndësishëm për të gjithë studentët, atë të hedhjes së kapelave, si simbol i përfundimit të një periudhe plot përkushtim dhe sakrificë dedikuar dijes dhe avancimit akademik.
Ceremonia e gradimit të studentët këtë vit ishte e ndarë në dy ditë për shkak të numrit të madh të studentëve (dita e parë më 8 shtator dhe e dyta më 9 shtator 2023), duke përmbyllur kështu suksesshëm një nga organizimet më madhështore dhe më emocionuese të institucionit më të madh të arsimit të lartë në Kosovë, të UBT-së.