Për herë të parë në Kosovë, në UBT u mbajt oda e çikave, Samiti F’Oda
15/07/2023Për herë të parë në Kosovë, në kampusin e UBT-së në Lipjan u mbajt oda e çikave, Samiti F’Oda, me ç’rast morën pjesë gra lidere, sipërmarrëse, aktiviste të shoqërisë civile, personalitete të shquara dhe studente.
Ideatorët e kësaj konference, vajza shqiptare nga diaspora: Djellza Pulatani, Alma Stafa, Greta Rustani, Dita Dreaj, Erza Gashi dhe Dora Nano, në fjalën hyrëse theksuan se qëllimi i këtij samiti është të fuqizojë, edukojë dhe kremtojë potencialin e jashtëzakonshëm të vajzave të reja, mes tjerash, duke i frymëzuar ato të jenë të vendosura, të kenë shumë përkushtim dhe pasion në profesionin që synojnë të kenë në jetë.
Në emër të UBT-së, dekania e Fakultetit të Psikologjisë, Deniz Celcima përshëndeti të ftuarit dhe përgëzoi iniciatorët e këtij samiti për nismën e tyre.
“Kolegji UBT ka si mision të vet fuqizimin e potencialit rinor e për më tepër të vajzave dhe studentëve që janë pranë nesh, por ne e dimë se të gjithë këtë frymëzim e kemi nga historia dhe nga familjet tona. Nuk duhet të harrojmë sakrificat, përkushtimin dhe kontributin e nënave dhe gjysheve tona, sepse ato kanë sakrifikuar të parat për ne që të jemi këtu ku jemi sot. Ne si bijat e tyre duhet të vazhdojmë të punojmë, të përkushtohemi, të mësojmë ta duam vetën dhe të luftojmë përkundër çdo mentaliteti apo pengese sociale kudo ku shfaqet dhe kudo ku ndodhet. Të gjithë janë të rëndësishëm në botë, vërtetë, por, vajzat tona na dhurojnë botën”, ka thënë ajo.
Temat kryesore që u diskutuan në këtë samit ishin: fuqizimi i vajzave, ndërgjegjësimi për shëndetin mendor, edukimi seksual, zhvillimi i karrierës dhe barazia gjinore.
Disa ndër personalitetet e shquara që ndanë eksperiencat dhe këshillat e tyre në këtë organizim ishin: Rezana Saraqi, Drenusha Xharra, Leonida Molliqaj, Zana Maloku dhe Pranvera Jetishi.
“Kam udhëtuar nëpër botë, kam jetuar në tetë shtete të ndryshme dhe tani e kuptoj se çfarë vendi të jashtëzakonshëm kemi. Do të sigurohem që të gjitha korporatat më të mëdha të vijnë dhe të ofrojnë punësim për të rinjtë tonë në Kosovë të cilët janë jashtëzakonisht të aftë”, u shpreh Zana Maloku, me profesion Headhunter e cila punon dhe vepron në Gjermani.