Kosova anëtarësohet në Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive

22/06/2023

Kosova ka arritur të anëtarësohet në Federatën më të madhe Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive. Me përkrahjen e mbështetjen e UBT-së është themeluar “Association of Sports and Exercise Medicine”, e cila është e vetmja organizatë nga Kosova e cila është anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive, duke e radhitur kështu Kosovën në mesin e më shumë se 117 vendeve që bëhen pjesë e kësaj shoqate.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se anëtarësimi i “Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine” në Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS) është një vlerë e shtuar dhe tejet e madhe për gjithë vendin.

“Mjekësia Sportive është një fushë shumë e rëndësishme që luan një rol kyç në aftësinë fizike, trajtimin dhe parandalimin e lëndimeve që lidhen me sportin dhe stërvitjen. Ky anëtarësim në Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive është një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës drejt zhvillimit të mjekësisë sportive në Kosovë, dhe UBT përmes Fakultetit të Shkencave Sportive do të jap kontribut të vazhdueshëm për promovimin e saj”, ka thënë rektori Hajrizi.

Federata Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (FIMS) është shtëpia e katër shoqatave kontinentale të Mjekësisë Sportive dhe e 117 shoqatave kombëtare të Mjekësisë Sportive në mbarë botën që ka bashkuar më shumë se 125.000 mjekë sportivë, duke u angazhuar fuqishëm në promovimin e zhvillimit të Mjekësisë Sportive.