Studentët e UBT-së dhe Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, diskutojnë rreth rolit të BE-së në rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës
02/06/2023Në kuadër të eventit të përmuajshëm “Let’s talk about the European Union” (Të flasim për Bashkimin Evropian), është zhvilluar takimi i parafundit i studentëve me Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Në këtë takim, diskutimi kryesor u fokusua në temën “Roli i BE-së në rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës”, me një vëmendje të veçantë te roli i Finlandës në këtë proces.
Studentët kishin mundësinë të shprehin mendimet dhe pyetjet e tyre mbi integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe të mësonin më shumë rreth përvojës së Finlandës në këtë kontekst.
Ambasadori Nissinen ndau përvojën dhe perspektivën e tij në lidhje me rolin e BE-së dhe rëndësinë e vlerave evropiane për Kosovën. Ai theksoi se Finlanda mbështet plotësisht procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe se është e gatshme të ndihmojë në këtë rrugëtim.
Diskutimet e zhvilluara kontribuuan në zgjerimin e informacionit dhe ndërgjegjësimit të studentëve rreth sfidave dhe mundësive që lidhen me integrimin evropian të Kosovës.