UBT ndau çmimin Leadership Excellence Award për Damën e Luksemburgut, Tessy Antony de Nassau
19/05/2023Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në prani të shumë profesorëve, stafit dhe studentëve, me vendim të Këshillit Akademik të UBT-së, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i ndau çmimin “Leadership Excellence Award”, Damës së Luksemburgut, Tessy Antony de Nassau.
Këtë çmim rektori Hajrizi, i ndau Damës së Luksemburgut, Tessy Antony de Nassau për kontributin, përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e madhe, si një avokate e zëshme për të drejtat e grave dhe një ambasadore e të drejtave të njeriut.
“Përkushtimi i Tessy Antony de Nassau për kauzat humanitare shërben si një motivim i madh, duke fuqizuar të drejtat e grave dhe fëmijëve, si dhe duke avokuar në barazitë shoqërore. Ne vendosëm të japim dhe të shpërblejmë me gradën e nderit – çmimin e ekselencës së lidershipit, si një mirënjohje ndaj angazhimit dhe punës së Dame Tessy Antony de Nassau në nisma të ndryshme sociale”, ka thënë rektori Hajrizi.
Dama e Luksemburgut, Tessy Antony de Nassau u shpreh e lumtur për vlerësimin që UBT i bëri asaj dhe me këtë rast potencoi edhe rëndësinë e kultivimit të miqësisë dhe projekteve në të ardhmen.
“Jam shumë e lumtur që kam marr çmimin UBT Excellence. Është me të vërtetë e mrekullueshme të shohësh që puna ime, ambiciet e mia dhe përkrahja ime janë pranuar aq mirë, sa frymëzojnë, dhe gjithashtu është e mrekullueshme të kthehem në Kosovë. Unë kam qenë këtu para 19 viteve kur isha këtu me trupat e KFOR-it në vitin 2004 në moshën 18 vjeçare. Por, duke u kthyer kam gjetur një rajon që po lulëzon njerëz të mrekullueshëm. Rrallë kam përjetuar një mikpritje të tillë kudo në botë realisht”, tha Dame Tessy Antony de Nassau.
Dame Tessy Antony de Nassau zhvilloi një vizitë në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, me ç’rast diskutoi me studentët dhe profesorët edhe rreth rëndësisë së përshtatshmërisë në një botë që ndryshon me shpejtësi.