“Meeting Diplomats” në UBT: Diskutim i hapur me zëvendës këshilltaren politiko – ekonomike në Ambasadën e ShBA-së, Cynthia Cook

20/04/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, qëndroi për vizitë zëvendës këshilltarja politiko – ekonomike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Cynthia Cook, me të cilën në kuadër të eventit të përmuajshëm “Meeting Diplomats” u organizua një diskutim i hapur rreth shumë çështjeve që ndërlidhen me diplomacinë dhe angazhimin e saj në jetën politike.

Zëvendës këshilltarja, Cynthia Cook u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili e falënderoi dhe u shpreh mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës.

Qëndrimi i zëvendës këshilltares Cynthia Cook ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të marrë frymëzim nga eksperienca dhe aftësitë e saj të larta, duke u fokusuar në sfidat aktuale që ndërlidhen me diplomacinë në nivel ndërkombëtar.

Cynthia Cook ka shërbyer në detyra të ndryshme në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende të tjera, duke përfshirë Këshillin e Sigurisë Kombëtare si Drejtore e Çështjeve Izraelite dhe Palestineze, Zëvendës Këshilltare Politike në Ambasadën në Jerusalem, Zyrtare në Azerbajxhan në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe shumë pozita të tjera. Para se të bashkohej me Shërbimin e Jashtëm, ajo punoi në Capitol Hill për pesë vjet dhe në Pentagon për një vit. Ajo u diplomua nga Universiteti i Kolorados në Boulder dhe London School of Economics.