UBT dhe Qendra Austriake Ekonomike organizuan “Free Market Road Show 2023” në Kosovë

10/04/2023

UBT në bashkëpunim me Qendrën Austriake Ekonomike (AEC), organizuan në Kosovë konferencën: “Free Market Road Show 2023”, një ngjarje kjo e rëndësishme që përfshiu perspektiva të ndryshme sa i përket ekonomisë, politikës, kulturës dhe arsimit, duke e ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një baze të qëndrueshme për diskutime më të thella dhe më të gjera në lidhje me sfidat dhe mundësitë ekonomike të saj në nivel ndërkombëtar.

Në konferencën “Free Market Road Show 2023”, ekonomistët me përvojë, ekspertët dhe vendimmarrësit diskutuan disa çështje kryesore të ekonomisë ndërkombëtare, dhe shqyrtuan sfidat e mundshme të së ardhmes.

Këtë konferencë në emër të UBT-së e hapi Lirigzona Morina, e cila falënderoi të pranishmit dhe theksoi nevojën e organizimit të konferencave të tilla me karakter ndërkombëtar, duke i mundësuar studentëve dhe të rinjve nga Kosova qasjen në këso organizime për të përfituar njohuri dhe përvoja të reja.

Në panelin e përbërë nga Dan Mitchell, Amir Shani dhe Simon Sarevski, të cilin e udhëhoqi Ardi Nurellari, u diskutua rreth tregjeve të lira, konkurrencës kundër politikës industriale, ekonomisë së ndarjes, si dhe rreth sipërmarrjes në përgjithësi.

Ata diskutuan një mori çështjesh të tjera që ndërlidhin ekonominë dhe sipërmarrjen, duke shprehur mendimet dhe qëndrimet e tyre rreth së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së sipërmarrjes, për ndikimin e teknologjisë dhe avancimeve të saj në ekonominë globale, si dhe për sfidat që mund të paraqiten në të ardhmen.

Kjo konferencë e nivelit botëror e nisur në vitin 2008 është një prej ngjarjeve më të mëdha vjetore që ka thyer rekorde duke u zhvilluar në më shumë se 45 qytete të Evropës, duke mbledhur kështu biznesmen të ndritur, studiues të shquar, student, udhëheqës opinion, ekspertë politikë, zyrtarë të zgjedhur, diplomat dhe akterë të tjerë të interesuar nga gjitha anët e Evropës për të diskutuar hapur vlerat kryesore evropiane.