Në UBT përmes një diskutimi të hapur shënohet Dita Botërore e Ujit
22/03/2023Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në Ditën Botërore të Ujit, nën organizimin e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT u zhvillua një diskutim i hapur me temën: “Përshpejtimi i ndryshimeve për të zgjidhur krizën e ujit dhe kanalizimit”.
Me këtë rast dekani, njëherit Drejtori për Çështje Akademike, Prof. Dr. Muhamet Ahmeti, shprehu mirëseardhje për të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa për pjesëmarrësit në këtë ngjarje profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit; Hazir Çadraku, Ilir Avdullahu dhe Ibush Luzha nga Fakulteti i Inxhinierisë së Mjedisit dhe Teknologjisë Ushqimore, prezantuan dhe folën rreth temave: “Gjendja e ujërave në Kosovë”, “Monitorimi i Burimeve të Ujit”, “Furnizimi me ujë në regjioni e Prishtinës”, si dhe “Roli, rëndësia dhe kuadri ligjor për ruajtjen dhe mbrojtjen e ujërave”.
Në vijim të shënimit të Ditës Botërore të Ujit pjesëmarrësit; gjimnazistë, studentë dhe profesorë patën rastin të japin mendimet, komentet, sugjerimet dhe të bënin pyetje në lidhje me prezantimet dhe në përgjithësi me ujërat në Republikën e Kosovës.
Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se duhet të bëhet më shumë në të gjitha nivelet me qëllim që burimet ujore të ruhen, mbrohen dhe të shfrytëzohen sa më racionalisht në mënyrë që të kemi një mirëqenie më të sigurtë për veten tonë dhe brezat e ardhshëm.
Në përmbyllje profesori Hazir Çadraku, shprehu falënderimin dhe respektin për të gjithë pjesëmarrësit duke theksuar pjesëmarrja aktive në këto dhe ditë të ngjashme si kjo japin një kontribut të madh në përcjelljen e mesazheve për rëndësinë dhe nevojën që kanë burimet ujore për tu ruajtur, mbrojtur dhe kujdesuar për to përmes një modeli të menaxhimit të integruar të tyre.