Nxënësit e shkollës “American School of Kosova” vizituan Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së

10/03/2023

Nxënësit e shkollës “American School of Kosova” ditë më parë vizituan Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, me ç’rast panë nga afër mundësitë unike për zhvillimin profesional në karrierë.

Në kampusin e teknologjisë dhe inovacionit, vendin e shkencës dhe dijes, nxënësit u mirëpritën nga drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota, së bashku me profesorët dhe bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët i njoftuan nxënësit me kushtet dhe mundësitë që i ofron ky institucion i arsimit.

Me këtë rast, nxënësit panë nga afër laboratorët e mekatronikës dhe robotikës, teknologjisë kompjuterike, laboratorin e ushqimit, bibliotekën më të madhe universitare, qendrën e realitetit virtual dhe të shtuar, si dhe laboratorë të tjerë.

Përfaqësuesit e UBT-së, i njoftuan nxënësit me një larmi të madhe të elementeve inovative të dijes të cilat UBT i ka ndërlidhur në një ekosistem gjigant të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, në mënyrë që studentët të kenë një të ardhme të ndritur në rrugëtimin e tyre akademik.