UBT dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë nisin eventin e përbashkët për të rinjtë “Youth talks”
08/03/2023Në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, UBT bëri hapjen e diskutimeve “Youth talks”, me temën: “Kosova, Evropa dhe Federalizmi: Çfarë mund të mësojmë nga njëra – tjetra”, një bashkëpunim i mirëfilltë me Ambasadën e Suedisë në Kosovë, për të sjellë ide dhe mendime kritike rreth problematikave dhe ngjarjeve që na rrethojnë.
Panelistë në këtë event ishin: Robin R. Mudry nga JEF Europe – Young European Federalists, Taulant Ferati si Young European Ambassador dhe Maja Otterstedt nga Ambasada e Suedisë.
Pjesë e këtij eventi ishin edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund dhe rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, teksa e pranishme virtualisht ishte edhe eurodeputetja suedeze, Arba Kokalari.
Rektori Hajrizi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ngjarje të rëndësishme, teksa konsideroi të nevojshme zhvillimin e diskutimeve për tema të ndryshme me të rinjtë, dhe studentët.
“E konsiderojmë si shumë të rëndësishme diskutimin me të rinjtë, studentët dhe gjeneratat e reja për tema të ndryshme, pasi që ata janë personat kyç që do të bëjnë ndryshimet e mëdha në të ardhmen. Falënderoj përzemërsisht Ambasadën e Suedisë në Kosovë dhe Shtëpinë e Evropës për bashkëpunimin drejt kësaj nisme që mendojmë se do të sjell diskutime të frytshme për temat që e preokupojnë shoqërinë tonë”, tha rektori Hajrizi.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund shprehu falënderimet e tij të përzemërta për gatishmërinë për të organizuar ngjarje të tilla me rëndësi për shoqërinë në Kosovë.
“Targeti i Suedisë janë të rinjtë, me ç’rast Kosova ka një përparësi meqenëse ka mbi 50 për qind të popullsisë rini, gjë që është një e veçantë që duan ta kenë të gjithë”, potencoi Ambasadori Westerlund.
Robin Mudry nga JEF Europe – Young European Federalists theksoi rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku potencoi se Kosova patjetër duhet të jetë pjesë, teksa përmendi përvojën e udhëtimit të tij nga Praga për në Kosovë.
Në kuadër të këtij eventi, panelistët diskutuan tema të ndryshme, që nga edukimi, arsimimi, shkëmbimi i kulturave të ndryshme mes të rinjve e deri te politikat publike, për të cilat u dakorduan se duhet më tepër angazhim dhe vetëdijesim për të pasur zgjidhje të problemeve që preokupojnë shoqëritë.