“Kryemjeshtri” – promovohet në UBT libri dedikuar mjeshtrit të xhudos, Driton Kuka

27/02/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, në një ceremoni u bë promovimi i librit “Kryemjeshtri” nga autori Arsim Maxhera, dedikuar trajnerit mjeshtër të xhudos, njëherit profesorit të UBT-së, Driton Kuka.

Në mesin e pjesëmarrësve të shumtë në këtë promovim, ishte edhe rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili në fjalën e tij përshëndetëse, falënderoi autorin e librit, Arsim Maxhera dhe trajnerin mjeshtër të xhudos, Driton Kuka, për përkushtimin për të sjellë në Kosovë një libër voluminoz, në të cilin përshkruhet roli i një modeli mjeshtër, siç është Kuka.

“Libri është një mesazh shumë i rëndësishëm për të rinjtë se si duhet të krijohet një perceptim për krijimin e një heroi dhe kampioni të sportit. Ne e kemi një rast të një trajneri se si është një rol model. Për neve dhe për Kosovën, është një rol model me të cilin ne duhet ta promovojmë dhe gjeneratat e tjera ta marrin si bazë. Autori ka bërë një punë shumë të mirë, e cila besoj që nuk do të jetë botimi i parë dhe i vetëm, sepse njerëzit si Driton Kuka duhet të promovohen. Besoj se ekziston një lloj modeli i mjeshtërisë, talentët kanë predispozita për të qenë të tillë, mirëpo, modeli e organizimi ndërtohen nga trajnerë. Ne, si UBT e kemi vlerësuar Driton Kukën para disa viteve me “Leadership Excellence Award”. Përmes xhudos, Kosova ka krijuar një lloj eliminimi të inferioritetit, me këtë pritjet tona nuk janë më në nivelin e pritjes së kualifikimit, por tani janë për të qenë më të mirët në botë”, tha rektori Hajrizi.

Autori, njëherit gazetari i sportit, Arsim Maxhera vlerësoi lartë pjesëmarrjen e studentëve dhe të profesorëve të UBT-së, në këtë promovim të librit, për të cilin tha se është një libër që shfaq punën kolosale të Driton Kukës dhe sfidat me të cilat është përballur ky i fundit përgjatë jetës dhe karrierës së tij.

“Libri është një shfaqje e punës kolosale që ka bërë Dritoni Kuka, rreth sfidave të cilat i ka kaluar ai. Një rrugëtim i veçantë që nuk besoj se mund të përsëritet. Nga ky rrugëtim mund të mësojnë gjeneratat e reja. Dijen që e ka Driton Kuka duhet të shpërndahet më shumë te punëtorët e tjerë të sportit në nivel vendi”, u shpreh Maxhera.

Trajneri mjeshtër i xhudos, njëherit profesorit të UBT-së, Driton Kuka, u shpreh falënderues për promovimin e librit në UBT, si dhe tha se është i lumtur që është pjesë e UBT-së.

“UBT më ka vlerësuar pak më ndryshe, duke më dhënë çmimin “Leadership Excellence Aëard”. Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj dhe pjesë e UBT-së. E vlerësoj punën e Arsimit rreth librit, i cili në mënyrë kronologjike ka përshkruar secilën ngjarje që kam përjetuar”, ka thënë trajneri Kuka.