Profesori i UBT-së, Petrit Ahmeti certifikohet si trajner për EPC Software Kosovo, mbështetur nga Qeveria Gjermane

23/02/2023

Pas trajnimit disa mujorë të 15 ekspertëve vendorë të efiçienës së energjisë dhe testimit final, u certifikuan me sukses trajnerët e parë të softuerit EPC Software Kosovo për certifikimin e performancës energjetike të ndërtesave në Kosovë, ku njëri ndër ta është profesori i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor dhe programit të Efiçiencës së Energjisë në kuadër të UBT-së, Dr. Sc. Petrit Ahmeti.

Për herë të parë në Kosovë, do të fillojë rangimi dhe certifikimi i ndërtesave bazuar në nivelin e tyre të performancës energjetike.

Kjo do të ndihmojë në identifikimin e gjendjes aktuale të performancës energjetike të ndërtesave ekzistuese dhe atyre të cilat do të ndërtohen në të ardhmen, duke lehtësuar aplikimin e masave renovuese sipas kërkesave aktuale për efiçiencë të energjisë. Krahas saj, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është duke përgatitur Regjistrin Kombëtar të ndërtesave të trajtuara dhe certifikuara nga ky proces i rëndësishëm.

Trajnerët, do të jenë të angazhuar që të trajnojnë dhe certifikojnë profesionistët e ardhshëm, në përdorimin e këtij softueri dhe përgatitjen e ekipeve të vlerësuesve të performancës energjetike të ndërtesave në Kosovë.

Trajnimi dhe certifikimi i ekspertëve u realizua nga Fraunhofer Institute for Building Physics, kurse u mundësua nga Qeveria Gjermane përmes GIZ Kosovo dhe Banka Gjermane për Zhvillim KfW.