Dr. Rudina Jasini zhvilloi një diskutim me studentët e UBT-së rreth udhëtimit të saj profesional në mbrojtje të të drejtave të njeriut

27/01/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, qëndroi për vizitë Dr. Rudina Jasini nga “Oxford University”. Në kuadër të vizitës së saj, ajo zhvilloi një diskutim të hapur më studentët dhe profesorët e UBT-së, për tema që ndërlidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë në përgjithësi.

“Një udhëtim akademik dhe profesional në mbrojtje të të drejtave të njeriut” ishte tema në të cilën u përqendrua diskutimi me Dr. Rudina Jasini, nga ku studentët patën rastin të dëgjojnë dhe të marrin më shumë njohuri rreth ushtrimit të profesionit nga eksperienca e saj.

Dr. Jasini foli gjithashtu rreth përvojës së saj si avokate dhe studiuese së drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, si dhe rreth angazhimit të saj në drejtimin e një projekti të Këshillit Kërkimor Ekonomik Social të Mbretërisë së Bashkuar.

“I qëndroj gjithmonë parimit se duhet të kesh një bindje dhe thirrje të brendshme pse ti duhet të studiosh drejtësi. Për të kuptuar se si funksionon shteti dhe e drejta, për të kuptuar se si e pozicionin ti veten në një shoqëri, jo domosdoshmërisht për t’u bërë një avokat i ardhshëm, por mbi të gjitha duhet ta duash profesionin dhe të kesh një thirrje të brendshme. Dhe, kjo të shtynë pastaj që në një moment të caktuar të japësh kontributin tënd dhe të avancosh disiplinën ku punon”, tha Jasini.

Ajo gjithashtu foli edhe rreth angazhimit të saj si anëtare e Komitetit të së Drejtës Penale Ndërkombëtare të Shoqatës për të Drejtën Ndërkombëtare, si dhe rreth punës së saj si avokate në Tribunalin Penal Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe në përfaqësimin e viktimave të Khmerit të Kuq në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias në çështjen e Kaing Geuk Eav (a/k/a Duch).