Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e zhvillimit të marketingut digjital dhe Start-Ups në eventin “INFODAY”

13/01/2023

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me ftesë të “Korça Innovation & Technology Hub” mori pjesë në eventin “INFODAY” ku së bashku me panelistë të tjerë, diskutuan rreth risive dhe sfidave në Start-ups, në marketingun digjital, si dhe rreth orientimit të të rinjve drejt modeleve inovative në fushën e teknologjisë kreative.

Duke përcjellë nga afër trendin që po zhvillohet në këto fusha, rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e zhvillimit të marketingut digjital te bizneset e reja, por edhe ato aktuale, sfidat me të cilat përballen këto biznese, mundësinë për hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe për përfshirjen e të rinjve në një treg pune jo vetëm lokal e kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

“Është shumë e rëndësishme që të jemi pjesë e zhvillimeve të ndryshme rreth nesh dhe në të njëjtën kohë të përcjellim trendet e reja që na sjell bota e zhvilluar. Kësisoj, marketingu digjital është një prej aspekteve të rëndësishme të zhvillimit të secilës kompani apo biznes, qoftë i ri apo aktual, pa marrë parasysh sfidat të cilat mund të hasen gjatë rrugës”, ka thënë rektori Hajrizi.

Ky aktivitet është mbajtur në qytetin e bukur të Korçës dhe është zhvilluar nga Qendra e Teknologjisë dhe Inovacionit “Korça Innovation & Technology Hub”, qendër të cilën UBT e ka zhvilluar së bashku me Bashkinë e Korçës.