Studentët e Fakultetit Dizajn i Integruar në UBT qëndruan për vizitë studimore në fabrikat “Exim Jatex” dhe “Wear&Go”, në Gjakovë
04/01/2023Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Dizajn i Integruar në UBT në kuadër të lëndës “Teknikat e qepjes së tekstilit dhe lëkurës”, të udhëhequr nga profesoresha Ardita Rizvanolli, qëndruan për vizitë studimore në dy fabrika: “Exim Jatex” dhe “Wear&Go”, në qytetin e Gjakovës.
Në kuadër të vizitës në fabrikën “Exim Jatex”, studentët u mirëpritën nga pronari i kësaj fabrike, Bashkim Hasanaj, me ç’rast patën mundësi të njihen me prodhimin e këmishave dhe produkteve të cilat shiten edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, si dhe me të gjitha proceset duke filluar nga dizajnimi i modelit, përgatitja e shablloneve, prerja dhe qepja.
Përgjatë vizitës në fabrikën “Wear&Go” studentët u pritën nga bashkëpronarët e kësaj fabrike, Bahri dhe Ruzhdi Bokshi, ku u njoftuan me procesin e përgatitjes së dizajnit, shablloneve dhe larjen e xhinseve.