Eksperti dhe ndërmarrësi, Alban Spahiu, zhvilloi një ligjëratë tematike rreth cilësisë dhe sigurisë së ushqimit me studentët e UBT-së

29/12/2022

Përfaqësuesi i kompanisë “Malësia”, njëherit eksperti pranë Agjencionit të Ushqimit dhe Veternarisë në Kosovë, Alban Spahiu, nën organizimin e profesorit, Mërgim Mestani dhe në bashkëpunim me studentë dhe profesorë të UBT-së, ka zhvilluar një ligjëratë tematike me studentët e Fakultetit Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT.

“Prodhimi dhe përpunimi i mishit dhe qumështit – risitë dhe sfidat”, “Siguria ushqimore, praktikat e mira higjienike dhe të prodhimit” si dhe “ISO – Standardet, me fokus HACCP”, ishin disa nga temat të cilat u trajtuan përgjatë kësaj ligjërate tematike.

Temat e prezantuara në këtë ligjëratë tematike zgjuan interesim te studentët dhe stafi akademik të cilët diskutuan me ekspertin dhe ndërmarrësin, Alban Spahiu, edhe për konceptin “nga ferma në tavolinë”.

Përgjatë kësaj ligjërate tematike, studentët patën mundësi të njihen me rëndësinë e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, lidhur me mungesën e fuqisë punëtore dhe përballimin e kësaj sfide nga bizneset, si dhe me zhvillimin dhe avancimin e bizneseve.