UBT nënshkruan Parimet e Kombeve të Bashkuara për Fuqizimin e Grave

06/12/2022

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, sot në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, së bashku me drejtoreshën e UN Women për Kosovë, Vlora Nushi, ka nënshkruar deklaratën e përkushtimit për Parimet e Kombeve të Bashkuara për Fuqizimin e Grave.

Me nënshkrimin e kësaj deklarate dhe këtyre parimeve, UBT dëshmon angazhimin dhe promovimin e barazisë gjinore në nivele akademike, menaxheriale dhe administrative, duke e dëshmuar këtë edhe përmes shifrave të cilat rektori Hajrizi i përmendi para nënshkrimit.

“Si UBT, angazhimin për fuqizimin e grave e kemi treguar dhe dëshmuar gjatë gjithë kohës, duke pasur kështu shifra shumë të mira të barazisë gjinore në punë, me stafin ekzekutiv të bordit në përbërje prej 46% të tyre gra, si dhe në nivelin menaxherial me përbërje prej 59% gra”, dhe ne mendojmë se me nënshkrimin e këtij dokumenti kemi bërë edhe një hap pozitiv drejt fuqizimit të grave në shoqërinë tonë”, ka thënë rektori Hajrizi.

Përmes nënshkrimit të këtij dokumenti, UBT ka hyrë në listën e 7200 bizneseve dhe organizatave në mbarë botën që iu kanë bashkuar komunitetit WEP-s, duke treguar angazhim për promovimin e praktikave të tilla.

WEP-s është krijuar nga “United Nations Global Compact” dhe “UN Women” të cilët janë të angazhuar për standardet ndërkombëtare të punës dhe të drejtave të njeriut, të bazuara në njohjen që bizneset kanë për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.