Ekspertja Blerinda Idrizi zhvilloi një diskutim me studentët e UBT-së, në shënim të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore

01/12/2022

Në shënim të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u zhvillua një diskutim i hapur me eksperten e politikave publike dhe gjinore, Blerinda Idrizi, ku u fol për aktivizmin qytetar kundër dhunës me bazë gjinore.

“Aktivizmi nuk duhet të mungojë dhe nuk prek pavarësinë e gjyqësorit e as të drejtësisë nëse kërkojmë llogari. Në një shoqëri demokratike kërkohet llogari, që nga familja e deri te institucionet e larta. Shoqëritë që humbasin kërkesën e llogarisë dhe transparencës, eskalojnë në dhunë”, është shprehur Idrizi.

Duke konsideruar se Kosova qëndron institucionalisht më mirë se vendet e Ballkanit dhe vendet e tjera, ajo tha se mekanizmat të cilat janë në kuadër të institucioneve janë gjetje e mirë e Kosovës në drejtim të barazisë gjinore.

“Kosova ka mekanizma gjinorë, si; komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore, ka agjencinë për barazi gjinore, ka avokatin e popullit që merret vetëm me çështjet e barazisë gjinore dhe është një gjetje shumë e dobishme dhe efektive. Në çdo komunë dhe ministri keni zyrtaren për barazi gjinore. Këto janë pikat e forta të Kosovës, që vendet e tjera nuk i kanë”, ka thënë Idrizi.

Ajo theksoi se politikat publike dhe hartimi i tyre duhet të ndryshojnë në Kosovë, meqenëse vlerësoi se institucionet çalojnë në këtë pjesë dhe është një nga sfidat më të mëdha në praktikë.

“Kosova çalon në ndarjen e burimeve për çështjet e barazisë gjinore dhe kundër dhunës ndaj gruas, dhe kjo ka të bëjë me politikat dhe hartimin e tyre, me mënyrën se si merren vendimet. Kjo është një nga sfidat më të mëdha si politikë hartues, por edhe si politikë zbatuese. Kemi ende nevojë për ndërgjegjësim për dhunën në baza gjinore dhe për dhunën ndaj gruas, sepse është një çështje që ndodh përditë. Ky duhet të jetë një edukim i përditshëm”, potencoi ajo.

Blerinda Idrizi është eksperte e politikave publike dhe gjinore dhe zhvillim ndërkombëtar me afro 30 vite eksperiencë në kontekstin e zhvillimit ndërkombëtar. Blerinda ka filluar karrierën e saj në fushën e ndihmës për zhvillim dhe emergjenca humanitare dhe në fillimet e karrierës së saj ka punuar për organizata si International Red Cross Federation, OXFAM, Catholic Relief Services, e më pas për Agjenci të Kombeve të Bashkuara si UNDP, UNWomen, dhe UNHabitat.