Rektori Hajrizi viziton Universitetin e Harvardit – prezanton modelin e UBT-së për Smart City, ekosistemin e inovacioneve dhe vizionin për University 4.0

01/10/2022

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi po qëndron në një vizitë njëjavore në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është duke zhvilluar takime të ndryshme me përfaqësues të institucioneve të arsimit, me studentë shqiptarë, si dhe me diasporën shqiptare.

Gjatë kësaj vizite, rektori Hajrizi do të ketë takime të shumta me përfaqësues të këtij universiteti prestigjioz në botë, për të diskutuar kryesisht për mundësitë e bashkëpunimit për fusha të ndryshme të jetës duke filluar nga zhvillimi ekonomik, ndryshimet klimatike, shëndetësia dhe mjekësia, siguria, energjia, teknologjia e deri te inovacioni, lidershipi dhe ngritja e kapaciteteve akademike në Kosovë.

Rektori Hajrizi mendon se mundësia e ndërlidhjeve të standardeve më të larta akademike botërore që ofron Harvardi si dhe në bashkëveprim me potencialin e ekosistemit inovativ që ofron UBT në Kosovë dhe rajon, do të kishte një impakt të jashtëzakonshëm në ngritjen e cilësisë së jetës dhe zhvillimeve në përgjithësi në Kosovë dhe më gjerë.

Gjatë këtij vizite, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi mbajti një ligjëratë tematike lidhur me krijimin e ekosistemeve inovative dhe te mençura duke e prezantuar si rast studimi edhe vet UBT-në, si dhe impaktin e saj në zhvillimin e qëndrueshëm ne Kosovë.

Kjo ligjëratë është organizuar në bashkëpunim me Asociacionin e studentëve shqiptarë në Harvard. Për këtë vizitë një kontribut të madh e ka dhënë edhe Faton Limani, staf i rregullt i Universitetit të Harvardit dhe ekspert për lidership, si dhe Kujtim Thaqi, profesor i biokimisë në UBT, i cili për momentin po qëndron në një vizitë studimore në Fakultetin e Mjekësisë në Harvard përmes Fulbright Visiting Scholar Program.

Rektori Hajrizi përpos takimit me stafin e Universitetit të Harvardit, me studentë shqiptarë në Harvard, do të zhvilloj takime edhe me pjesëtarë të diasporës shqiptare që jetojnë në Boston dhe rrethinë, si dhe do të vizitojë edhe varrin e Fan Nolit dhe Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare, teksa do të marrë pjesë në festivalin shqiptar në Boston.