Ministrja Donika Gërvalla – Schwarz takoi ekipin përfaqësues të Kosovës të garës ndërkombëtare të robotikës “FIRST Global Challenge”

14/09/2022

Ekipi i cili do të përfaqësojë Kosovën përmes UBT-së, në garën më të madhe ndërkombëtare të robotikës “FIRST Global Challenge”, i prirë nga Elita Hajrizi, është takuar me zëvendëskryeministren, njëherit ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla – Schwarz.

Në këtë takim, ekipi i Kosovës i përbërë nga nxënësit e shkollave të mesme të UBT-së: Harisa Haziri, Rrezon Halimi dhe Muhamet Shala, të prirë nga Elita Hajrizi, e njoftuan ministren Gërvalla – Schwarz për formatin e garës, idenë që ka gara për këtë vit, si dhe rreth rëndësisë së pjesëmarrjes së ekipit nga Kosova në një garë të tillë të robotikës.

Ministrja Donika Gërvalla – Schwarz u shpreh e lumtur që të rinjtë nga Kosova po e përfaqësojnë vendin në fusha të ndryshme, sikurse në garën e robotikës, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen në këto gara për përfaqësimin sa më të mirë të vendit në arenën ndërkombëtare.

Ajo u shpreh e gatshme për të ndihmuar dhe mbështetur ekipin e Kosovës në këtë rrugëtim unik dhe shumë të rëndësishëm për ta në një garë prestigjioze, siç është kjo e garës ndërkombëtare të robotikës “First Global Challenge”, e cila këtë vit do të mbahet në Gjenevë të Zvicrës.