Fakulteti Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri përfundon suksesshëm Akademinë Ndërkombëtare Verore
01/08/2022Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, ka përfunduar punimet në kuadër të “Global UBT Fest 2022”, ku janë përfshirë shumë ligjërata tematike, punëtori të ndryshme, si dhe diskutime për tema që kishin të bënin me zhvillimet në teknologji.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, profesori Edmond Jajaga ka zhvilluar një ligjëratë tematike ku ka folur rreth sistemeve të fuzionimit të të dhënave për njohje të objekteve, teksa profesori Zhilbert Tafa ka ligjëruar rreth temës: “Përdorimi i Machine Learning në Rrjetet Kompjuterike”, si dhe për teknologjitë informatike dhe komunikuese në mentorimin kontinual të ambientit.
Ndër të tjera, profesori Xhafer Krasniqi ka ligjëruar rreth temës: “Enabling technologies of 5G”, duke shpjeguar dhe shtjelluar më gjerësisht edhe për rastet e përdorimit të teknologjisë 5G, ndërsa profesori Astrit Hulaj ka zhvilluar një diskutim të hapur me studentë rreth ndikimit të teknologjisë 5G në “Internet of things” (IoT) dhe për sigurinë dhe IoT, si dhe profesoresha Vesa Morina ka zhvilluar një ligjëratë rreth temës: “Zhvillimi i lojërave me Unity”.
Të gjitha këto aktivitete në kuadër të Akademia Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, kanë pasur për qëllim aktivizimin e studentëve edhe pas ciklit të studimeve, duke konsideruar të nevojshëm pjesëmarrjen aktive të tyre, për të përforcuar dhe përfituar njohuri të reja rreth fushës, si dhe duke kontribuar me ide dhe mendime kreative dhe inovative në fushën e teknologjisë.