Në UBT diskutohet për cilësinë e ajrit, energjia ndotësi më i madh

 Në UBT diskutohet për cilësinë e ajrit, energjia ndotësi më i madh

 

Është mbajtur forumi i parë profesional akademik me temë: “Çështjet urbane mjedisore, ndotja e ajrit në Prishtinë dhe më gjerë”, organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore e Infrastrukturës dhe Fakulteti i Energjisë Efiçiente, ku panelistë të këtij forumi ishin përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe ekspertë të fushës përkatëse.


Në këtë forum është diskutuar për cilësinë e ajrit dhe çështjet ambientale në Kosovë, me ç’rast rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka thënë këto probleme datojnë qysh vite më parë.


Tutje, ai ka thënë se në Kosovë mungojnë elementet e pajisjet matëse, teksa tha se si proces nuk implementohet sipas standarde evropiane.

“Në UBT punojnë mbi 200 doktorë shkence të cilët mund të ndihmojnë dhe japin konkluzione për planifikimin urban dhe hartimin e strategjive edukate”, ka thenë Hajrizi, duke treguar se ka kuadro që gjenerojnë dije por mungojnë trupat e certifikimit, që bëjnë certifikimin e personave për energji, ambient etj.


Duke folur për faktorët që ndikojnë në cilësinë e ajrit, ligjëruesja në UBT, Pranvera Dobruna – Kryeziu theksoi se energjia është ndotësi kryesor i ajrit në Kosovë.


Ajo tha se duhet të aplikohen politika pro aktive, në mënyrë që të ketë përmisim në cilësi të ajrit.

“Kosova e Re është politikë që në masë të madhe do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Të gjitha aktivitetet që zhvillohen gjithnjë shkojnë për përmirësimin e gjendjes, përfshirë edhe aktivitetet e UBT-së, ku si institucion do të jetë aktive me konferenca dhe forume ku marrin pjesë ekspertë të fushave përkatëse”, tha ajo.


Po ashtu, Urim Xharavina, nga organizata për mbrojtën e mjedisit “Let’s do it Peja”, tha se një nga ndotësit kryesor janë mbetjet industriale. Ai tha se pothuajse e gjithë Kosova përballet me cilësi të ulët të ajrit.

“Dispozitat ligjore nuk po zbatohen pothuajse fare, por edhe pjesët tjera të Kosovës po përballen me problematika të njëjta. Kemi rastin e Obiliqit dhe të Fushë Kosovës. Megjithatë, vlen të theksohet se edhe mbetjet industriale konsiderohet se ndotin ajrin”, ka thënë ai.


Të pranishmit në këtë forum, e që ishin ekspertë të fushës njëherësh ligjërues në UBT, njëzëri vlerësuan se vendi duhet të ketë matje konstante të cilësisë ajrit dhe në mënyrë specifike të identifikohen ndotësit më të mëdhenj, teksa u tha se këto procese të implementohen me praktika botërore.


Po ashtu, ekspertët e fushës kërkuan që politik bërësit të kenë bashkëpunim me palët e interesit në mënyrë që të rishqyrtohen strategjitë aktuale.


Sipas matjeve të ditëve të fundit t të Ambasadës amerikane, Prishtina ka ajër të pashëndetshëm, ku kuota e ndotjes së ajrit kishte arritur në 199.


 

Masat e ndërmarra nga Komuna e Prishtinës, fillimisht ishte ndalja e lëvizjes së veturave në unazën e qendrës së Prishtinës.

Lajme