FAKULTETI I ARKITEKTURËS DINAMIZON AKADEMINË VERORE

12/07/2016

Fakulteti i Arkitekturës, me aktivitetet e pandërprera, e ka dinamizuar edhe më shumë ditën e katërt të Akademisë Ndërkombëtare Verore.

***
Profesoresha nga Italia ligjëron për UNESCO-n dhe trashigiminë

Ka ligjëruar profesoresha nga Italia, Adriana Galvani, tema “UNESCO dhe trashëgimia”. Profesoresha ka trajtuar qasjen që duhet pasur për trashëgiminë në relacion me zhvillimin e turizmit dhe disa aspekte të qasjes ndaj trashëgimisë nga institucionet ndërkombëtare botërore, konkretisht UNESCO. Është trajtuar edhe aspekti i trashëgimisë si element i dizajnit të qëndrueshëm.

***
Profesorët: Beqiri, Sylejmani e Jashari ligjërojnë për dizajnin e qëndrueshëm

Është trajtuar edhe tema: “Sustainable design “ (Dizajni i qëndrueshëm) nga profesorët: Lulzim Beqiri, Mimoza Sylejmani dhe Rineta Jashari. Studentët patën rastin të njiheshin për konceptet e dizajnit të qëndrueshëm, aplikimin e tyre në Kosovë dhe sfidat që presin arkitektët e ardhshëm dhe shoqërinë kosovare, në përballje me këto sfida. Studentët do të analizojnë lagjen ”Ulpiana” dhe do të kenë mundësi të japin propozimet e tyre për modelet e projekteve, ku mund të intervenohet, me qëllim të përmirësimit të ambientit të banimit dhe reduktimin energjetik.

***
Ekspertët e planifikimit nga USAID-i e MMPH-ja ligjërojnë për teknikat e zonimit

Në kuadër të modulit “Small intervention and City without border” 
(Intervenimet e vogla dhe qyteti pa kufi), ndërkaq, është trajtuar tema: “Koncepti, llojet dhe teknikat e zonimit”, nga ekspertja e planifikimit nga USAID, Hisen A Berisharlinda Rushaj-Sadiku. Moduli është vazhduar dhe mbështetur nga përfaqësues të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Merita Dalipi dhe nga Komuna e Prishtinës, Zejnulla Rexhepi. Ligjërata kishte synim sqarimin në detaje të zonimit që planifikohet të implementohet në Kosovë, që është me interes për studentët e Arkitekturës, që të familjarizohen me konceptin e zonimit.