PROFILET E STUDIMIT NË PROGRAMIN MASTER-SI

    1. Sistemet e Informacionit të Biznesit

Master i Sistemeve të Informacionit të Biznesit është një koncentrim (profil) i diplomimit  Master në SI që përgatit studentët për karrierë në fushat e Teknologjisë së Informacionit (TI) të fokusuar në biznes dhe në organizatë siҫ janë  Menaxhimi i Teknologjisë së Informacionit , Menaxhimi i Projekteve në SI, Sistemet e Informacionit të Biznesit, si dhe Menaxhimi i Informacionit apo Menaxhimi i  Njohurive.

Ky profil mbulon spektrin e teknologjisë së informacionit të biznesit duke mbështetur  operacionet e biznesit, duke lehtësuar dhe duke mundësuar vendimmarrjen biznesore dhe menaxheriale. Me studimin në këtë profil, studentët përgatiten për rolet si menaxher i operacioneve, menaxher i proceseve, analist i procesit të biznesit, analist dhe inxhinier i sistemeve, menaxher i projekteve, menaxher i Teknologjisë së Informacionit, si dhe menaxher i sistemeve të informacionit në institucione dhe në biznes.

 

Ky specializim kërkon përfundimin e një moduli të lendeve të  avancuara  të teknologjisë së informacionit të biznesit që kryesisht ofron programi në pjesën e parë të koncentrimit (semestri i tretë i studimeve), dhe përmbyllet me një hulumtim individual kualitativ apo me një projekt praktik nga industria në nivel të temës së diplomës (semestri i katërt dhe i fundit).

Lëndët me fokus të veçantë janë: Sistemet e Planifikimit të Burimeve të Ndërmarrjes; Ekonomiksi dhe Menaxhimi i e-Biznesit; Menaxhimi i sistemeve të avancuara të Informacionit.


    2. Sistemet e Gjeo-Informacionit (Geographic Information Systems-GIS)

Ky program akademik  dhe shkencor ka për qëllim për të pajisur studentët me aftësi në trajtimin e të dhënave, analizimin, dhe komunikimit grafik të të dhënave dhe informacioneve të thjeshta dhe atyre  komplekse gjeografike. Ky profil i studimeve është i destinuar për ata studentë që kanë bachelor në Sisteme të Informacionit, Shkenca Teknike, për ata që kanë një diplomë universitare në Gjeografi apo një disiplinë të lidhur ngushtë me fushën e Sistemeve të Informacionit, siҫ është Gjeodezia, Informatika për Biznes, Teknologjia, etj.  Programi Master në GIS mbulon një gamë të gjerë të teorive dhe të praktikave aktuale të ndërlidhura me shkencën e informacionit gjeografik. Në këtë kuadër studentët do të aftësohen të kuptojnë dhe të aplikojnë sistemin për mbledhur, për të ruajtur për të manipuluar, për të analizuar për të menaxhuar dhe për të prezantuar të gjitha të dhënat hapësinore dhe gjeografike sipas kërkesave të bizneseve, institucioneve apo të individëve.


    3. Sistemet e Informacionit të Bibliotekave dhe të Arkivave

Menaxherët sistemeve të informacionit për arkiva dhe biblioteka sigurojnë dhe menaxhojnë incizime, materiale, libra, si dhe informata në forma tjera të arkivuara të cilat janë të krijuara paraprakisht nga aktivitetet  biznesore, organizative dhe sociale.  Profesionistet aftësohen në këtë profil për të menaxhuar dhe për të përdorur këto materiale dhe informata vitale në biznes apo në organizatë si p.sh. për kontabilitet, për bazën e të dhënave të korporatës, për menaxhim të njohurive të ndërmarrjes dhe për qëllime socio-kulturore. 

Sistemet e informacionit për biblioteka aftëson studentët në aspektin  teorik dhe në atë të aplikuar të ndërlidhur me  parimet e dizajnimit të sistemeve multimediale. Në këtë profil përfshihen paraqitja e njohurive me anë të proceseve siҫ është interfejsi njëri-sistem i informacionit, procesim, ruajtje dhe  shpërndarje të informatave në formë të teksteve, të tingujve, të imazheve, të animacioneve, si dhe të  dhe video sekuencave,  softuerëve të  autorizuar, harduerëve opsional si CD-ROM / DVD, sistemeve të  bazuara në WEB (burimet e hapura, realiteti virtual, etj.). Ambienti i punës përfshinë shumicën e organizatave nga sektori publik dhe ai privat, si dhe të institucioneve të arkivimit. Menaxherët e dijës merren me zhvillimin e strategjive dhe të proceseve të nevojshme për të menaxhuar dijen dhe rrjedhën e dijes së nevojshme për të arritur qëllimet e organizatës, për të përmirësuar performancën dhe për të shtuar vlerë.

Studenti specializuar në këtë profil do të jetë në gjendje të:

  • demonstrojë një kuptim të organizimit dhe mbajtjes së  regjistrimeve në biblioteka dhe arkiva aktuale;
  • përdorë mjetet standarde të klasifikimit dhe katalogimit në organizimin efektiv të materialeve dhe burimeve të bibliotekave dhe arkivave;
  • njohë sistemet e mëdha të katalogimit dhe të klasifikimit që janë  aktualisht në përdorim;
  • realizoj klasifikimin e  informacionit në disa media të shkruara dhe elektronike.
  • jetë në gjendje për të identifikuar, vlerësuar  dhe zgjedhur mjetet për katalogimin, klasifikimin, dhe përpunimin e burimeve të bibliotekave dhe arkivave.

 

Një aspekt i veçantë i këtij profili është zhvillimi i një ambienti të përcaktuar për krijimin, ndarjen dhe aplikimin e njohurive organizative dhe të sistemeve që mbështesin proceset e tilla.

Projekti final pas përfundimit të studimeve është dizajnimi zhvillimi, testimi dhe vlerësimi i një sistemi të informacioneve në shkallë të vogël.


    4. Komerci Elektronik (E-Commerce)

E-commerce, është "një term që përdorët për çdo lloj të biznesit ose transaksion tregtar që përfshinë transferimin e informacionit duke shfrytëzuar platforma elektronike siҫ është interneti. Në vazhdim ky profil ka për qëllim që të pajisë studentët me njohuri për dizajnimin, zhvillimin dhe zbatimin e aplikacioneve të e-komercit të cilat përdorën  për të transformuar pozitivisht biznesin, për të ristrukturuar  organizatën, për të modernizuar  proceset e biznesit dhe për të  përmirësuar pozicionin konkurrues të biznesit.

Qasja multi-disciplinare dhe holistike e profilit  vendos aplikacionet dhe teknologjitë e e-tregtisë në kontekstin e gjerë biznesor, ekonomik dhe social. Sistemet e Informacionit për e-komerc do të bëjnë të mundur identifikimin e mundësive se si  e-komerc mund të akomodoj rritjen e normës së ndryshimit të krijuar nga zhvillimet sociale, ekonomike, politike dhe teknike, duke përfshirë edhe ato ligjore dhe etike. Studentët gjithashtu do të përqendrohen në aktivitete organizative të nevojshme  për të ndryshuar implikimet e menaxhimit të modeleve të reja të biznesit të mundësuar me anë të e-komercit, si dhe ndikimin e internetit.


     5. Statistikat, Procesimi dhe Simulimi i të Dhënave

Ky profil ofron studim të avancuar të  vendim-marrjes dhe analizimit të të dhënave në dizajnimin dhe zhvillimin e sistemeve mbështetëse të vendimmarrjes. Krijimi dhe përdorimi i statistikave , procesimi dhe simulimi i të dhënave krijon mundësi për krijimin e  modeleve të vendimmarrjes individuale, grupore  dhe organizative. Në këtë profil studentët do të aftësohen të dizajnojnë, të zhvillojnë dhe të aplikojnë llojet e sistemeve të informacionit si sisteme mbështetëse të marrjes së vendimeve.

 

Çështjet më të rëndësishme në këtë rast janë çështjet e menaxhimit të njohurive duke ofruar një pasqyrë të një numri të teknikave ekzistuese dhe të teknikave të reja që mbështesin vendimmarrjen siҫ janë modelet statistikore, sistemet eksperte, inteligjenca artificiale, sistemet mbështetëse të ekzekutivit, sistemet mbështetëse të vendimmarrjes grupore,  sistemet deponimit dhe të minimit të të dhënave.

Lëndët me fokus të veçantë janë Sistemet e Avancuara të Modelimit dhe të Simulimit të të Dhënave; Procesimi i të Dhënave dhe Metodologjia Statistikore; Natyra dhe Aspektet Statistikore të Simulimit.


    6. Sistemet e Informacionit të Sigurisë dhe Privatësisë

Ky specializim  ka për qellim përgatitjen e studentëve  për karrierë në fushën e sigurisë dhe të sigurimit të informacionit standard dhe informacionit të ndjeshëm, ku janë të përfshira modulet që mundësojë  zhvillimin, vlerësimin dhe mbështetjen e zgjidhjeve adekuate të sigurisë dhe të sigurimit të informacioneve të biznesit dhe të privatësisë.

Sigurimi i Informacioneve dhe privatësia qëndron për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të besueshëm në zhvillimin e proceseve organizative dhe ekzekutive në institucione shtetërore dhe në ndërmarrje private. Ky profil është dizajnuar që të përgatisë profesionistë  për të vepruar në parandalimin  dhe në luftimin e kërcënimeve dhe  dobësive që mund të e afektojnë teknologjinë e informacionit dhe rrjedhën e informatave në organizata, në institucione, në biznese dhe në rrjetin e tyre në regjione të caktuara.

Lëndët më fokus të veçantë janë: SI, Siguria dhe Privatësia; Siguria e Bazës së të Dhënave; Menaxhimi dhe Siguria e Kompjuterëve dhe Rrjetave.

Lajme