Specializimet (profilet) e studimit në programin Master PPM

Programi Master në PPM në vitin e parë të studimeve është gjithëpërfshirës në fushën e politikave publike dhe menaxhimit duke ofruar kurse të ndryshme nga ekonomia, politika dhe nga menaxhimi.  Profilet e specializimeve të dizajnuara dhe të ofruara në vitin e dytë të studimeve në PPM, janë të konstruktuar nga lëndë  me fokus në dy koncentrime:

Politika Publike, dhe

Menaxhimi Publik. 

 

Politikat Publike

Ky program është i dizajnuar për të diplomuarit që duan një kualifikim të avancuar profesional që do të sigurojë një bazament të fortë për fillimin e një karriere në sektorin publik, në sektorin jofitimprurës ose në komunitetin ndërkombëtar të politikës.

Profili Politikat Publike ka për qëllim që të zhvillojë aftësitë analitike dhe konceptuale për të mundësuar  kuptim dhe vlerësim të proceseve politike në vend dhe në regjion, vlerësimin kritik të çështjeve të politikave publike,  dhe zbatim të  politikave si dhe të sistemeve tjera të ndërlidhura me politikën.

Ky qëllim është planifikuar të arrihet përmes objektivave  të programit. Objektivat e profilit politikat publike janë :

 

  • Të aftësojë studentët për të shqyrtuar në detaje kontekstin politik, ekonomik dhe social të politikëbërjes në nivelet lokal, rajonal, shtetëror dhe ndërkombëtar
  • Të zhvillojë njohuri të thella të çështjeve specifike të politikave
  • Të sigurojë një trajnim të plotë në metodat analitike sasiore dhe cilësore të përdorura për zhvillimin e politikave dhe zbatimin e tyre.
  • Të zhvillojnë të kuptuarit e çështjeve praktike dhe etike në politikë-bërje
  • Të zhvillojë dhe të i ngritë  njohuritë dhe aftësitë profesionale për karrierën e sektorit publik
  • Të  sigurojë përvojë profesionale përmes komponentit praktik dhe teorik të vendimmarrjes.

 

 

Disa nga lëndët që përbëjnë specializimin nga profili Politikat Publike, ndër tjerash janë: Menaxhimi i Financave Publike,  Ekonomiksi i Sektorit Publik,  Procesi i Politikave Vendore dhe Regjionale, Metodat Sasiore dhe Cilësore të Kërkimit në PPM, dhe duke u përmbyllur me Analizat e Politikave Publike, si dhe me vlerësimin dhe implementimin e tyre. Kurset  opsionale apo zgjedhore janë të shumta dhe kanë të bëjnë me fusha të caktuara nga shërbimet  publike, përfshirë shëndetin, ambientin, strukturat organizative, vendimmarrjen dhe arsimin. Modulet zgjedhore gjithashtu përfshijnë elemente mbi Politikat Publike Krahasuese; Teorinë e Vendimmarrjes, Ekonominë Politike Internacionale, Ekonomia dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm, Shteti i Mirëqenies, Lidershipi dhe Negocimet. Studentët mund të zgjedhin lëndë nga dy module ku secili modul ofron nga tetë lëndë të ndryshme. Disa module opsionale sigurohen nga departamentet e tjera, p.sh nga fakulteti i Shkencave Politike apo nga fakulteti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi.

 

Menaxhimi Publik

Profili menaxhimi Publik është një koncentrim i programit PPM që vazhdon në vitin e dytë të studime që ka orientim në menaxhim dhe në menaxhment. Në këtë koncentrim studentët aftësohen të kuptojnë, të analizojnë dhe të realizojnë proceset organizative në ambiente publike në njërën anë dhe ndërtimin, zhvillimin dhe funksionimin e strukturave organizative që zhvillojnë politika publike në tjetrën anë.

Ky profil është i fokusuar në studimin e teorive dhe inovacioneve brenda menaxhimit publik. Këtu do të shqyrtohet historia e menaxhimit publik  dhe do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me pyetjet se si administrata publike është transformuar në 20 vitet e fundit. Kjo do të i pajisë  studentët me ide konceptuale, qasje teorike dhe aftësi hulumtuese analitike të nevojshme për të studiuar politikën dhe menaxhimin publik në nivelin pasuniversitar.

 

Disa nga lëndët që përbëjnë specializimin Menaxhimi Publik janë  Menaxhimi Publik dhe Qeverisja, Teoritë e Marrëdhënieve Publike, Menaxhimi Strategjik, MBNJ dhe i Marrëdhënieve të Punës, Menaxhimi i Financave Publike, Ligji Administrativ Vendor dhe i BE-së.

 

Lajme