Administrata dhe studentët

Në Kolegjin UBT mund të konkurrojnë:
•    Të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të huaj që kanë diplomën e shkollës së mesme ose të një shkolle të barasvlershme me të (të nivelit 3A sipas Standardeve Ndërkombëtare të Klasifikimi të Arsimit - ISCED) që i mundëson kandidatit plotësimin e kushteve për regjistrim në universitet;
•    Studentë të transferuar nga universitete të tjera të vendit apo të huaja, të licencuara dhe të akredituara.
•    Shërbimet për studime në Kolegjin UBT janë me pagesë (tarifa e shkollimit). Vlera e kësaj pagese për çdo kurs studimi në çdo vit akademik vendoset nga Rektori, pas marrjes së mendimit nga Këshilli Drejtues.
•    Për kategori të veçanta studentësh (studentët e shkëlqyer etj.), Kolegji UBT mund të japë edhe bursa studimi. Kriteret për dhënien e bursave i vendos Këshilli Drejtues (Rektorati).



ÇFARË DUHET TË BËNI QË TË JENI TË SUKSESSHËM NË STUDIME?

Para se të filloni ligjëratat
•    Dërgoni të gjitha dokumentet e vlefshme të kërkuara me konkurs për të plotësuar dosjen tuaj personale dhe shërbimet e tjera administrative e financiare për të përgatitur kontratën e studimit;
•    Lexoni me kujdes rendin shtëpiak të Kolegjit UBT të shpallur në katin përdhes të objektit;
•    Kontrolloni dhe nënshkruani kontratën e studimit me Kolegjin UBT;
•    Kërkoni nga Zyra për Shërbimin e Studentëve kalendarin e vitit akademik, duke përfshirë edhe festat zyrtare.
•    Kërkoni nga Zyra për Shërbimin e Studentëve orarin e mësimit dhe vërtetoni në cilat dhoma të mësimit do të zhvillohet procesi mësimor;
•    Merrni informatat e nevojshme për lëndët e semestrit përkatës në Zyrën për Shërbimin e Studentëve ose në tabelën e shpalljeve;
•    Siguroni materialet e nevojshme për mësim (tekste, skripte, literaturë komple¬mentare, qasje në internet etj.) sipas lëndëve përkatëse dhe në bashkëpunim me Bibliotekën e Kolegjit UBT;
•    Kontrolloni rezultatet e provimeve dhe vërtetoni, me Zyrën për Shërbimin e Studentëve, plotësimin e kushteve për të vazhduar studimet në vitin vijues akademik (kjo vlen për studentët jofillestarë).

Fillimi i ligjëratave
•    Ligjëratat i mban profesori i lëndës, i cili edhe e udhëheq lëndën përkatëse në bashkëpunim të ngushtë me asistentin;
•    Ligjëratat e një ore mësimore zgjasin 45 minuta. Një ligjëratë, zakonisht, mbahet brenda dy orëve të mësimit, që domethënë kryhet brenda 90 minutave dhe pastaj, nëse ligjërata ka 4 orë të mësimit, pason një pushim prej 30 minutave dhe vazhdohet me dy orët e tjera prej gjithsej 90 minutave;
•    Kërkoni nga mësimdhënësi sqarim për programin e lëndës mësimore, ku përfshihen: qëllimi, objektivat, përmbajtja kryesore, literatura e referuar dhe mënyra e vlerësimit;
•    Kërkoni nga mësimdhënësi sqarime për mënyrën e vlerësimit, për numrin dhe llojet e provimeve, për kriteret dhe mënyrën e notimit dhe për kriteret dhe mënyrën e fitimit të kredive për secilën lëndë të semestrit/ave përkatës.
•    Kërkoni nga mësimdhënësi të dhëna për mënyrën dhe kohën e kontaktimit për konsultime;

Gjatë zhvillimit të procesit mësimor
•    Merrni pjesë aktive në ligjërata dhe bëhuni pjesë e procesit;
•    Bëni vazhdimisht pyetje për gjërat që nuk i keni të qarta dhe kërkoni sqarime nga mësimdhënësi i lëndës;
•    Me angazhimin tuaj do ta detyroni mësimdhënësin të japë maksimumin e tij dhe efekti i procesit mësimor do të maksimalizohet;
•    Mos e shpenzoni shumë kohën në gjërat formale, por kërkoni, këmbëngulni dhe përkushtojuni përmbaj¬tjes dhe cilësisë së studimeve;
•    Kërkoni nga Zyra për Shërbimin e Studentëve të plotësohen kushtet higjienike-¬sanitare, kushtet teknike dhe didaktike në klasat ku mbahet ligjërata dhe në mjediset ku ju mësoni, nëse ato nuk janë në nivelin e duhur.
•    Mbani shënime të shkurtra gjatë ligjëratave dhe vlerësoni në mënyrë të argumentuar dhe objektive punën e secilit mësimdhënës dhe asistent;
•    Vlerësimet e juaja vendosni në kutinë e veçantë pranë recepcionit dhe ne u garantojmë për anonimitetin e vlerësimit tuaj.
•    Vlerësimi objektiv i juaj, jo vetëm për mësimdhënësit por edhe për të gjitha shërbimet e tjera që Kolegji UBT ua ofron, do të na ndihmojnë që të marrim masat e nevojshme adekuate për përmirësimin e gjithëmbarshëm të cilësisë së shërbimeve tona.
•    Vijoni me rregull ligjëratat, sepse pjesëmarrja e juaj në ligjërata shton mundësinë dhe cilësinë e studimeve, por edhe pse prania e juaj në ligjërata do të vlerësohet nga ana e mësimdhënësit në notën përfundimtare të lëndës përkatëse me një përqindje të caktuar, për të cilën ai duhet t’ju njoftojë në fillim të ligjëratave;
•    Mësimdhënësi do të mbajë shënime për rregullsinë e vijimit të studentëve në ligjërata dhe nëse studenti mungon mbi 30% të ligjëratave, ai hyn në zonën e rrezikshme për të humb statusin e studentit të rregullt;
•    Për probleme eventuale të mësimit drejtohuni Koordinatorit të programit përkatës. Emrat e secilit prej tyre do të shpallen në tabelën e shpalljeve dhe nëse me atë nuk mund të arrihet zgjidhja e problemit kërkoni takim me Presidentin e Kolegjit UBT ose me personin të cilin ai e autorizon.

Lajme