Në UBT identifikohen mënyrat për zbulimin e mashtrimeve akademike

 Në UBT identifikohen mënyrat për zbulimin e mashtrimeve akademike

Nevoja e menjëhershme për të trajtuar rastet e mashtrimeve akademike, të cilat me zhvillimin e internetit e kanë vërshuar botën akademike, kanë bërë që UBT të zhvillojë konferencën “Mashtrimet akademike dhe si të mbrohemi nga ato”, që mblodhi ekspertë e njerëz të shumtë nga akademia.

 

Në hapje të konferencës, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, tha se në institucionin që ai e drejton, çdo vit publikohen mbi 1000 punime shkencore, të cilat bazohen në një kulturë të thellë hulumtimi dhe që ka vlerë për shoqërinë.
“UBT është anëtarësuar në shumë baza të të dhënave, gjë që krijon rrjetëzim dhe mundësi për hulumtime të përbashkëta, me qëllim që vizibiliteti dhe prezenca e punimeve profesionale të stafit të jetë sa më e dukshme dhe e qasshme”, theksoi ai.

 

Sipas tij, përpjekjet e akademisë për zhvillimin e hulumtimeve janë të shumta, por nga institucionet mungon përkrahja.
“Qeveria e Kosovës ka një buxhet jashtëzakonisht të ulët për shkencën. Nuk ka fonde shkence dhe të njëjtat edhe kur ndahen nuk jane transparente, andaj është e vështirë të merresh për shkencë kur nuk ka fonde”, konstatoi Hajrizi, teksa sqaroi se edhe përkundër këtyre vështirësive, UBT ka krijuar me sukses shkollën për përgatitjen e doktorantëve.

 

Studiuesi i çështjes së mashtrimeve akademike dhe ligjëruesi në UP, Driton Vela, e koncentroi fjalimin e tij në sqarimin e nocionit të mashtrimeve akademike, mënyrën e identifikimit të punimeve që përmbanin plagjiaturë, zbulimi i shtëpive botuese që konsiderohen të jenë predatore në mashtrime akademike, si dhe shpjegoi edhe shtëpitë botuese që konsiderohen të jenë serioze dhe me vlerë për publikim.
“Në vitet e fundit kemi trend të shtimit të numrit të revistave dhe shtëpive botuese që merren me mashtrime akademike dhe pre e tyre janë më së shumti studiuesit e rinj, ata që vijnë nga vende me arritje modeste në shkencë.
“Kemi rritje produktive të numrit të revistave dhe shtëpive që i botojnë shkrimet e tilla, ndërkaq fusha që më së shumti përballet me një dukuri të tillë është inxhinieria, e më së paku e sulmuar është fusha e fizikës dhe astronomisë”, shpjegoi Vela.

 

Ai tregoi se, për të luftuar këtë fenomen, u themelua edhe i ashtuquajturi operacion i thumbimit, i prirë për të ndjekur revistat dhe shtëpitë botuese predatore, që bazohet në dërgimin e një punimi pa asnjë bazë shkencore, si dhe hulumtimi mbi shtëpitë që e pranojnë një punim të tillë.

 

Studiuesi Taulant Muka, përmes platformës Skype u lidh me të pranishmit dhe me ta ndau përvojën dhe ekspertizën e tij për revistat predatore dhe sqaroi edhe rrezikun që vjen prej tyre.
“Kushdo që publikon në një revistë predatore nuk ka asnje siguri.
Rreth 65% e profesorëve të asociuar shqiptarë nuk i kanë vënë në zbatim rregulloret e Ministrisë së Arsimit dhe kështu, ne nuk jemi të sigurtë as kush janë në të vërtetë këta profesorë”, tha Muka, duke shtuar se pasojat e mashtrimeve akademike më së shumti mund të lënë pasoja në gjeneratat e ardhshme.

 

Ky aktivitet u organizua në kuadër të Institutit për Zhvillimin e Arsimit dhe Çështjeve akademike, IDEAA, në UBT.

Lajme